Izraeli paralajmëron banorët e 4 lagjeve në jug të Bejrutit të evakuohen nga shtëpitë “menjëherë”
Ushtria izraelite urdhëroi banorët e periferive jugore të Bejrutit të evakuohen menjëherë nga shtëpitë e tyre përpara sulmeve të reja ajrore në kryeqytetin libanez, transmeton Anadolu.
“Banorë të periferive jugore të Bejrutit, shpëtoni jetën tuaj dhe evakuohuni nga shtëpitë menjëherë”, shkroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në platformën amerikane të mediave sociale X.
Adraee u bëri thirrje në mënyrë të veçantë banorëve të lagjeve Burj al-Barajneh dhe Hadath që të lëvizin drejt lindjes, drejt Malit të Libanit, përmes rrugës Bejrut-Damask.
Banorët e Haret Hreik dhe Shiyah u urdhëruan të lëvizin drejt veriut, drejt Tripolit, përgjatë autostradës Bejrut-Tripoli ose drejt lindjes, drejt Malit të Libanit, përmes autostradës Metn.
Ushtria izraelite paralajmëroi banorët të mos lëvizin drejt jugut, duke theksuar se lëvizja në atë drejtim mund t’i vë jetët e tyre në rrezik.
“Do t’ju njoftojmë në kohën e duhur kur mund të ktheheni në shtëpitë tuaja”, thuhet në deklaratë.