Rritet numri i kërkesave për evakuim – 473 shtetas të RMV kontaktojnë përfaqësitë në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dhabi
Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme njofton se, që nga nisja e përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, 473 shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar ndihmë për evakuim përmes përfaqësive diplomatiko-konsullore.
Sipas të dhënave të publikuara, 19 qytetarë janë paraqitur nga Izraeli, 106 nga Katari, ndërsa 348 persona kanë kontaktuar përfaqësinë në Abu Dhabi. Brenda kësaj shifre përfshihen edhe 18 shtetas nga Kuvajti dhe 12 nga Bahreini.
Nga Ministria theksojnë se për momentin nuk rekomandohet largimi me rrugë tokësore për qytetarët që ndodhen në Katar dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shkak të rrethanave të sigurisë. Institucionet janë duke analizuar opsione alternative për të siguruar një tërheqje të organizuar dhe të sigurt, e cila do të realizohet sapo të krijohen kushtet e nevojshme.
Për qytetarët që ndodhen në Tel Aviv, autoritetet konfirmojnë se po shqyrtojnë mënyra të tjera për largim të sigurt nga territori i Izraelit, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Shtabi i krizës pranë Ministrisë mbetet në funksion 24 orë në ditë, ndërsa qytetarët mund të kontaktojnë edhe përfaqësitë diplomatiko-konsullore për informacione dhe asistencë shtesë.VOXAL