Rutte: NATO nuk ka absolutisht asnjë plan për t’iu bashkuar luftës me Iranin
Një ditë para vizitës së tij në Shkup, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se aleanca nuk ka plane të dalë në konflikt me Iranin, edhe pse ka përshëndetur veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Teheranit.
Në një intervistë për televizionin gjerman ARD në Bruksel, Mark Rutte, përshkroi operacionet e SHBA-së dhe Izraelit si “vërtet të rëndësishme”.
“Po shkatërrohet dhe po dobësohet kapaciteti i Iranit për të siguruar aftësi bërthamore, si dhe kapaciteti i tij për raketa balistike”, deklaroi ai për ARD.
Megjithatë, ai shtoi se “nuk ka absolutisht asnjë plan që NATO të tërhiqet apo të bëhet pjesë e këtij konflikti, përveç rasteve kur aleatë të veçantë bëjnë atë që munden për të mbështetur atë që amerikanët po bëjnë së bashku me Izraelin”.
Komentet e Rutte vijnë në një kohë kur shtetet individuale anëtare të NATO-s po përcaktojnë qëndrimet e tyre ndaj përshkallëzimit të konfliktit. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditur se nuk është pjesë e ofensivës kundër Iranit, por ka rënë dakord që bazat e saj ushtarake të përdoren për goditje “mbrojtëse” ndaj rezervave iraniane të raketave.
Të dielën, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca deklaruan në një komunikatë të përbashkët se do të “ndërmarrin hapa për të mbrojtur interesat tona dhe ato të aleatëve tanë në rajon, potencialisht përmes mundësimit të veprimeve të nevojshme dhe proporcionale mbrojtëse për të shkatërruar kapacitetin e Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë nga burimi i tyre”.