Një muaj “Safe City” 63% e shkeljeve në Shkup, më së paku raste në Tetovë
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë një jave janë evidentuar gjithsej 19.066 shkelje në komunikacion përmes sistemit “Safe City”.
Sipas të dhënave zyrtare, pjesa dërrmuese e tyre – 18.172 raste – kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Për kalim në semafor të kuq janë regjistruar 220 shkelje, ndërsa 674 raste kanë qenë për drejtim të automjetit pa regjistrim.
Gjatë së njëjtës periudhë janë shqiptuar 653 masa ndalese për drejtim automjeti, prej të cilave 220 për kalim në semafor të kuq dhe 433 për tejkalim të shpejtësisë.
Nga hyrja në fuqi e sistemit “Safe City”, numri më i lartë i shkeljeve është regjistruar në javën e parë të zbatimit, ndërsa mesatarja ditore, sipas MPB-së, llogaritet rreth 706 shkelje në ditë.
Sa i përket shpërndarjes rajonale, 12.073 shkelje janë evidentuar në rajonin e Shkupit, që përbëjnë 63 për qind të numrit të përgjithshëm. Numri më i ulët i shkeljeve është regjistruar në rajonin e Tetovës.