59 arrestime mbretërore në historinë britanike, mes tyre edhe fëmijë!
Arrestimi i Andrew Mountbatten-Windsor, vëllait të Mbretit Charles III, nën dyshime për shpërdorim detyre, është cilësuar nga shumë media si një ngjarje “e paprecedentë”. Por historia britanike tregon të kundërtën: arrestimet brenda familjes mbretërore nuk janë aspak risi.
Edhe pse shpesh thuhet se arrestimi i fundit mbretëror ishte ai i Mbretit Charles I në vitin 1646 – një episod që përfundoi me ekzekutimin e tij në vitin 1649 – dokumentet historike tregojnë se ai nuk ishte rasti i fundit.
58 arrestime nga viti 1066 deri në fillim të shekullit XVIII
Nga pushtimi norman i vitit 1066 e deri në fillim të shekullit XVIII, në Mbretërinë e Anglisë dhe më pas në Britaninë e Madhe, janë regjistruar gjithsej 58 arrestime të anëtarëve të familjes mbretërore (34 meshkuj dhe 24 femra).
Fati i tyre ka qenë i ndryshëm:
- 19 u liruan,
- 1 arriti të arratisej,
- 12 vdiqën në burg,
- 21 u ekzekutuan,
- 3 u zhdukën,
- 2 u vranë.
Pra, arrestimi i një “royal”-i apo pjesëtari të familjes mbretërore nuk është një fenomen i rrallë në historinë britanike – përkundrazi, për shekuj me radhë ka qenë pjesë e luftës për pushtet.
Vëllezër kundër vëllezërve: Lufta për fronin
Andrew nuk është as i pari vëlla i një monarku që arrestohet.
Një nga rastet më të njohura është ai i George, Duka i Clarence, vëllai i Mbretit Edward IV. Ai u arrestua për tradhti, iu hoqën titujt dhe u përjashtua nga linja e trashëgimisë. Në vitin 1478 u ekzekutua në Kullën e Londrës. Sipas legjendës, ai u mbyt në një fuçi me verë malmsey.
Ndërsa rasti i fundit i arrestimit të një motre apo vëllai të monarkut para epokës moderne ishte ai i Elizabeth I. Para se të bëhej mbretëreshë, ajo u burgos nga motra e saj, Mary I, në vitin 1554, nën akuza për komplot. Elizabeth kaloi muaj në Kullën e Londrës dhe më pas në arrest shtëpiak, derisa u fal një vit më vonë.
Fëmijët mbretërorë – pengje politike
Jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët mbretërorë janë burgosur për arsye politike.
Rasti më i famshëm është ai i “Princave në Kullë” – djemtë e rinj të Edward IV, të cilët u mbajtën në Kullën e Londrës nga xhaxhai i tyre, Richard III, pasi ky mori fronin në vitin 1483. Ata u zhdukën pak më vonë dhe shumica e historianëve besojnë se u vranë.
Një tjetër rast dramatik është ai i Eleanor dhe Arthur të Brittany-s, të cilët u burgosën nga xhaxhai i tyre, Mbreti John. Arthur u zhduk pas vitit 1203 (dyshohet i vrarë), ndërsa Eleanor kaloi pjesën më të madhe të jetës në burg dhe vdiq në vitin 1241.
Akuza për tradhti, herezi dhe magji
Shumica e arrestimeve mbretërore lidhen me akuza për tradhti dhe komplot, por shpesh këtyre u shtoheshin edhe akuza për herezi apo magji.
Henry V arrestoi njerkën e tij, Joan of Navarre, për dyshime për magji.
Henry VI burgosi Eleanor Cobham për nekromanci.
Në shumë raste, këto akuza mbulonin motive politike ose financiare.
Rekordin për arrestime brenda familjes e mban Henry VIII, i cili vendosi në burg 12 të afërm, përfshirë tre nga gratë e tij.
Arrestimi i fundit para shekullit XVIII
Arrestimi i fundit mbretëror para epokës moderne ishte ai i Sophia Dorothea of Celle në vitin 1694. Ajo, bashkëshortja e George të Hanoverit (që më vonë u bë Mbreti George I), u akuzua për tradhti bashkëshortore dhe mbeti e mbyllur deri në vdekjen e saj në vitin 1726.
Andrew – një kapitull i ri në një histori të vjetër
Arrestimi i Andrew Mountbatten-Windsor nuk është një përjashtim historik, por një vazhdimësi e një tradite të errët që ka shoqëruar monarkinë britanike për shekuj me radhë.
Ndryshimi i vetëm? Sot nuk bëhet fjalë për luftëra për fronin apo akuza për magji, por për standarde moderne të përgjegjësisë publike.
Historia tregon se edhe kurora nuk ka qenë gjithmonë mburojë ndaj prangave.VOXAL