Mbuluan tabelat e regjistrimit, arrestohen dy shoferë në Shkup
Mbuluan tabelat e regjistrimit për t’iu shmangur sistemit “Safe City”, arrestohen dy shoferë në kryeqytet. Nga ministria e Punëve të Brendshme, njoftojnë se zyrtarët policorë nga SPB Shkup kanë realizuar aktivitete të përforcuara në zonën e Qendrës dhe Bit Pazarit me qëllim ruajtjen e sigurisë në qendër të qytetit.
“Në këtë aksion u arrestuan dy shoferë, S.S. dhe M.A., të cilët drejtonin automjete të tipit “Mercedes” me targa të Shkupit, nën dyshimin për falsifikim dhe përdorim të targave të rreme, ndërsa u regjistrua edhe një shkelje e Ligjit për Armët. Gjithashtu, policia veproi në mënyrë parandaluese me patrullime të vazhdueshme në parkun e Kapishtecit, pranë një objekti në bulevardin “Partizanski Odredi” dhe te këndi i lojrave “Drven Grad” ku mblidhen shpesh të miturit.”
Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 24 persona, 17 prej të cilëve u janë nënshtruar kontrolleve fizike, ndërsa janë kontrolluar edhe katër automjete. Gjatë kontrolleve u konstatuan shtatë shkelje të rregullave të komunikacionit dhe u sekuestruan dy automjete bazuar në nenet 378 dhe 380 të Kodit Penal. Policia paralajmëroi se këto kontrolle të rrepta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.