Biznesi i kanabisit mjekësor në RMV po del nga binarët!
Biznesi i kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore në Maqedoninë e Veriut po përballet me vështirësi serioze, teksa gjithnjë e më shumë kompani po falimentojnë për shkak të pamundësisë për operim, ose për shkak të keqpërdorimeve me shitje të lëndës në tregun e zi.
Alarmi institucional është rritur sidomos pas informacioneve se rreth 5 tonë drogë, që sipas të dhënave paraprake dyshohet se kanë origjinën nga kompania “AlfaFarm” nga Shkupi, janë sekuestruar disa ditë më parë nga autoritetet në Serbi. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se pas aksioneve të fundit për sekuestrimin e marihuanës, do të pasojë një valë e re kontrollesh të intensifikuara ndaj prodhuesve.
“Deri më tani kemi lëshuar 60 leje, nga të cilat 18 janë marrë për shkak se nuk janë plotësuar as kushtet minimale që duhet të ketë një prodhues. Sipas ligjit dhe protokolleve, çdo tre muaj kompanitë janë të obliguara të dorëzojnë raport të rregullt, ndërsa çdo ndryshim duhet të raportohet në kohë reale. Ministria kryen kontrolle të rregullta përmes inspektoratit, si dhe vizita ad-hok kur ka nevojë. Pjesa që lidhet me daljen e prodhimit jashtë objekteve dhe destinacionin e tij është kompetencë e MPB-së”, tha Aliu.
18 kompani nga gjithsej 60 tashmë kanë humbur licencat e punës.
Biznesi i kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore u legalizua në Maqedoninë e Veriut në vitin 2017, me synimin për të krijuar një sistem të kontrolluar dhe të standardizuar për prodhimin e produkteve mjekësore me bazë kanabisi. Legalizimi kishte për qëllim sigurimin e terapive të sigurta për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda shëndetësore, si sëmundjet onkologjike, HIV/AIDS, epilepsia dhe dhimbjet kronike neuropatike. Vaji i kanabisit përdoret kryesisht për lehtësimin e simptomave, reduktimin e të përzierave të shkaktuara nga kimioterapia, përmirësimin e oreksit dhe rritjen e cilësisë së jetës së pacientëve.VOXAL