Nuk ka provim të jurisprudencës në shqip, Ministria e Drejtësisë: Duhet të dihet maqedonishtja
Provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues). Me pak fjalë ky është arsyetimi të cilin e dha Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk pas peticionit të studentëve shqiptarë të cilët kërkuan që krahas provimit të jurisprudencës në maqedonisht, i njëjti të mbahet edhe në shqip, shkruan Portalb.mk.
Duke e komentuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Ministria e Drejtësisë thotë se zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi.
“Përkatësisht, provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit, e me këtë rast nga natyra dhe qëllimi i këtyre profesioneve buron edhe nevoja e njohjes aktive të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Nga aty shtuan se qëllimi dhe roli i provimit të jurisprudencës lidhen drejtpërdrejt me sigurimin e gatishmërisë profesionale dhe gjuhësore për kryerjen e profesioneve të lartpërmendura.
Ministria thekson se sipas Ligjit për gjykatat, Ligjit për prokurorinë publike, Ligjit për avokatinë, Ligjit për Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, Ligjit për përmbarimin dhe Ligjit për noterinë duhet të zotërohet gjuha maqedonase.
“Meqenëse sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se krahas gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që flitet nga të paktën 20% e popullsisë që flet një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, kushti për njohjen aktive të gjuhës maqedonase është i domosdoshëm gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, e që në esencë paraqet kusht që të jepen të gjitha provimet e cekura që janë kusht për zgjedhjen e personit për gjykatës, prokuror publik, avokat, noter dhe përmbarues”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.
Nga aty shtuan se kontrollimi për njohjen aktive të gjuhës maqedonase kryhet pikërisht përmes dhënies së provimeve në gjuhën maqedonase.
“Gjegjësisht, të gjitha procedurat zhvillohen në gjuhën maqedonase, e me kërkesë të qytetarit, ato zhvillohen edhe në gjuhën që e flasin të paktën 20% e qytetarëve, dhe për këto arsye, njohja aktive e gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik si gjuhë zyrtare është e domosdoshme nga gjyqtarët, prokurorët publikë, avokatët, veçanërisht noterët dhe përmbaruesit, si persona me autorizime publike që zhvillojnë procedura përkatëse”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.
Ndër të tjera, ministria thotë se “Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban dispozita për dhënien e provimit të jurisprudencës në një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase”.
Kjo është përgjigja e plotë e Ministrisë së Drejtësisë:
Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.
