Tragjedi në New Jersey/ Nëna 35-vjeçare mbyt dy fëmijët e saj, babai i gjeti të vdekur
Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e New Jersey-t, ku një grua 35-vjeçare dyshohet se ka mbytur për vdekje dy fëmijët e saj, djem të moshës 5 dhe 7 vjeç.
Sipas mediave lokale, trupat e pajetë të fëmijëve u gjetën nga babai i tyre, i cili u kthye në shtëpi pas punës dhe njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës. Ekipet mjekësore që mbërritën në vendngjarje tentuan t’i ndihmonin, por të dy fëmijët u shpallën të vdekur në vend. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.
Nëna e fëmijëve, e identifikuar si Priyatharsini Natarajan, u arrestua dhe po përballet me dy akuza për vrasje të shkallës së parë, si edhe një akuzë për posedim të paligjshëm të një arme të shkallës së tretë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitetin lokal. “Është shumë e tmerrshme, nuk mund ta besoj. Një nënë që vret fëmijët e saj është diçka jashtëzakonisht e dhimbshme”, u shpreh një fqinje e familjes, duke shtuar se lutet për familjen e viktimave. Një tjetër banor tha se shpreson që autoritetet të zbardhin shkaqet e kësaj tragjedie, veçanërisht për hir të babait të fëmijëve.
Deri më tani, motivi i dyshuar i kësaj vrasjeje të dyfishtë mbetet i panjohur. Natarajan po mbahet në burgun e Qarkut Somerset dhe pritet të dalë para gjykatës në ditët në vijim.