Moska premton hakmarrje kundër BE-së! Sulmon infrastrukturën ukrainase, mbi 1 milion familje në errësirë
Masat hakmarrëse të Rusisë ndaj ngrirjes së aseteve të saj nga Bashkimi Evropian nuk do të vonojnë, ka paralajmëruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Përgjigjja jonë do të jetë e menjëhershme. Banka e Rusisë publikoi një deklaratë të detajuar mbi këtë çështje më 12 dhjetor. Masa konkrete tashmë janë në fazë zbatimi”, u shpreh Zakharova në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të transmetuar nga Ria Novosti.
Me 25 vota pro dhe dy kundër, vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar vendimin formal për ta bërë të përhershëm bllokimin e pasurive ruse. Kundër këtij vendimi votuan Hungaria dhe Sllovakia.
Sipas faqes Axios, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës një garanci të bazuar në nenin 5 të NATO-s, e cila do të miratohej nga Kongresi dhe do të ishte juridikisht e detyrueshme. Ndërkohë, Kievi bën të ditur se një milion familje ukrainase kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve të fundit të Moskës
Gjatë natës sulmet ruse goditën infrastrukturën energjetike dhe industriale, bënë të ditur zyrtarët, informon BBC.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se pesë rajone janë goditur dhe se të paktën pesë persona janë plagosur, ndërsa po punohet për shuarjen e zjarreve dhe rikthimin e furnizimit me energji.
Ngjarja vjen në një kohë kur i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump pritet të udhëtojë këtë fundjavë në Gjermani për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë evropianë, në kuadër të bisedimeve të mëtejshme për përfundimin e luftës.