Italia nis hetim për turistët që kanë paguar për të qëlluar civilë në Sarajevë gjatë viteve ’90
Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim tronditës mbi pretendimet se shtetas italianë kanë udhëtuar në Bosnjë-Hercegovinë gjatë luftës së viteve ’90 për të marrë pjesë në të ashtuquajturat “safari snajperësh” – vizita të organizuara ku persona të pasur paguanin për të qëlluar mbi civilë në Sarajevën e rrethuar.
Kallëzimi penal është dorëzuar nga gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, i cili përshkruan një “gjueti njerëzish” të organizuar nga individë shumë të pasur, me pasion për armët, të cilët “paguanin për të vrarë civilë të pambrojtur” nga pozicionet serbe në kodrat mbi Sarajevë. Sipas disa dëshmive, çmimet ndryshonin nëse objektivi ishte burrë, grua apo fëmijë.
Hetimi po udhëhiqet nga prokurori italian kundër terrorizmit, Alessandro Gobbis, ndërsa akuzat përfshijnë vrasje. Dëshmitë e mbledhura nga Gavazzeni – rreth 17 faqe material – përfshijnë edhe rrëfimin e një oficeri të inteligjencës ushtarake boshnjake, i cili pretendon se fenomeni u identifikua nga forcat boshnjake në fund të vitit 1993 dhe informacioni iu përcoll shërbimit sekret ushtarak italian Sismi në fillim të vitit 1994. Sipas tij, Sismi disa muaj më vonë njoftoi se kishte ndërhyrë dhe “safari të tilla nuk do të kishte më”. Dy-tre muaj më pas, aktivitetet janë ndërprerë.
Pretendime të ngjashme për “gjuetarë njerëzish” nga vende të tjera janë ngritur edhe më herët, por vetëm tani prokuroria italiane po heton me dokumente dhe dëshmi konkrete. Rasti është rihapur pasi Gavazzeni pa dokumentarin “Sarajevo Safari” të vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupanič, i cili sugjeron se në vrasje mund të kenë marrë pjesë individë nga disa shtete, përfshirë SHBA, Rusinë dhe Italinë.
Në Bosnjë, hetimet vendore duket se kanë ngecur, ndërsa Gavazzeni pretendon se në “safrati e snajperëve” mund të kenë marrë pjesë “të paktën njëqind persona”, ku vetëm italianët thuhet se kanë paguar deri në 100 mijë euro në vlerën e sotme.
Rrethimi brutal i Sarajevës zgjati katër vjet dhe mori jetën e mbi 11 mijë njerëzve, mes tyre shumë civilë të vrarë nga snajperët e vendosur në kodrat përreth qytetit. Tani, tre dekada më vonë, drejtësia italiane po kërkon të zbardhë nëse ndër sulmuesit ka pasur edhe “turistë të huaj të vrasjes”./VOXAL/