LSM: Rroga minimale të jetë mbi 650 euro, në të kundërtën grevë e protesta masive
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në takimin e ardhshëm me Këshillin ekonomik social nuk do të kërkojë më që rroga minimale të ritet në 500 por të jetë mbi 650 euro. Kërkesa bazohen në shtrenjtimin drastik të shportës konsumatore dhe në bazë të llogaritjeve sindikaliste, kjo do ishte shuma më e denjë e momentit për punëtorët. Sipas nënkryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për sektorin privat, Ivan Peshevski i cili foli për VOXAL, qytetari me të ardhurat e tanishme nuk mund ti përballojë as afërisht harxhimet mujore për shkak të unflacionit të lartë.
“Nëse dëshirojmë të kemi punëtorë të kënaqur dhe punëtorë që nuk do të planifikojnë ta braktisin shtetin dhe do të qëndrojnë këtu, që me produktivitetin e tyre do të vazhdojnë ta ndërtojnë ekonominë tonë e jo ekonomitë e huaja, besoni se duhet minimum 600 apo 650 euro e më shumë të jenë rrogat. Flas për punëtorët e ranguar me poshtë dhe me kualifikime më të ulëta” , deklaroi Ivan Peshevski, nënkryetar për sektorin privat në LSM.
Nga sindikata paralajmërojnë greva e protesta në rast se Qeveria dhe bizneset nuk pranojnë të bëhet rritje e rrogave.
Të dhënat e shportës minimale sindikale tregojnë se për të mbijetuar një familje 4 anëtareshe, nevojiten të paktën 65 mijë denarë apo afro 1 mijë e 50 euro në muaj. Nëse ajo familje jeton me qira, harxhimet shkojnë deri më 80 mijë denarë apo 1300 euro.
Nexhmedin Shaqiri /VOXAL/