Për herë të parë! Kirurgët në Kinë kryejnë transplantin e mëlçisë nga derri te njeriu
Mjekët në Kinë kanë realizuar me sukses një ndërhyrje të jashtëzakonshme, duke transplantuar për herë të parë një pjesë të mëlçisë së një derri të modifikuar gjenetikisht te një pacient 71-vjeçar me kancer të avancuar. Ky zhvillim përfaqëson një hap të madh në fushën e transplantit të organeve dhe u raportua në revistën shkencore Journal of Hepatology.
Gjatë operacionit, kirurgët hoqën lobin e djathtë të mëlçisë së pacientit, ku ishte zhvilluar një tumor i madh, dhe e zëvendësuan përkohësisht me një pjesë të mëlçisë së derrit. Transplanti u vendos në lobin e majtë të mëlçisë së pacientit dhe funksionoi normalisht, duke prodhuar lëng tëmth dhe faktorë të mpiksjes së gjakut.
Sipas mjekëve, trupi i pacientit nuk e refuzoi menjëherë indin e huaj, çka i dha kohë lobit të mbetur të mëlçisë së njeriut të rigjenerohej. Pas 38 ditësh, transplanti i derrit u hoq për shkak të disa komplikimeve. Pacienti, që vuante gjithashtu nga ciroza dhe hepatiti B, ndërroi jetë pesë muaj e gjysmë pas ndërhyrjes. Ai nuk ishte i kualifikuar për të marrë një mëlçi njerëzore për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Në një koment shoqërues të studimit, Dr. Heiner Wedemeyer e cilësoi këtë rast si një “moment historik klinik” dhe një “revolucion në hepatologji”, duke theksuar gjithashtu nevojën për më shumë kërkime për të parandaluar komplikimet dhe mpiksjen e tepërt të gjakut.
Dr. Heidi Yeh, kirurge dhe pedagoge në Shkollën Mjekësore të Harvardit, vlerësoi guximin e ekipit kinez për ta realizuar këtë eksperiment klinik, duke theksuar se studimet paraprake në kafshë nuk kishin rezultuar të suksesshme.
Kina po ecën me hapa të shpejtë drejt përdorimit të organeve të derrave të modifikuar gjenetikisht për të trajtuar mungesën e madhe të donatorëve. Aktualisht, mbi 300 mijë persona në vit në Kinë përballen me dështim të mëlçisë, ndërsa vetëm rreth 6 mijë transplantime mëlçie nga njerëz u realizuan në vitin 2022.
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Beicheng Sun, që vepron në Universitetin Mjekësor të Anhuit, qëllimi ka qenë që transplanti i derrit të shërbente si zgjidhje e përkohshme, për të ndihmuar në stabilizimin e pacientit. “Nuk kam dashur kurrë që kjo mëlçi derri të mbetet për një kohë të gjatë në trup – mendoj se kjo është e pamundur,” u shpreh ai.
Ky transplant shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt përdorimit të organeve të kafshëve të modifikuara gjenetikisht në mjekësinë njerëzore, duke hapur një epokë të re në trajtimin e sëmundjeve të rënda të organeve.