Asgjësohet sasi rekord droge dhe armësh në Maqedoni
Policia shkatërroi armë dhe drogë në sasi rekord prej 4 tonë marihuane dhe mbi 100 armë. Operacioni i shkatërrimit të drogës dhe armëve të konfiskuara u zhvillua në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, si dhe përfaqësuesve të MPB-së, Agjencisë për Menaxhim me Pasuri të Konfiskuar, Komisionit Shtetëror për Shkatërrimin e Lëndëve Narkotike dhe Komisionit Kombëtar për Armë të Lehta dhe të Vogla. Lista e detajuar e gjërave të shkatërruara është:
-
Mbi 4 tonë marihuanë
-
18 mijë bimë narkotike
-
79 kilogramë lule marihuane
-
21 kilogramë substanca të tjera (amfetaminë, heroinë, kokainë)
-
Mbi 100 armë zjarri
-
Mbi 1000 fishekë dhe komponentë armësh
“Sot po shkatërrojmë sasi rekord. Ky aksion është dëshmi se droga dhe armët ilegale nuk kanë vend e as të ardhme në Maqedoni,” theksoi Toshkovski.
Ai shtoi se me çdo gram droge apo armë të shkatërruar rritet siguria e qytetarëve dhe paralajmëroi aksione edhe më të mëdha në të ardhmen.
Ministri rikujtoi se muajt e fundit janë goditur disa grupe kriminale në Shkup dhe rajone të tjera. “Veprimet e paligjshme nuk do të tolerohen. Çdo sasi droge apo arme e sekuestruar do të asgjësohet me përgjegjësi dhe transparencë të plotë,” tha ai.