Zohran Mamdani betohet mbi Kuran dhe merr zyrtarisht mandatin në New York
Zohran Mamdani është betuar si kryetar i New Yorkut, duke u bërë myslimani i parë dhe personi më i ri në disa gjenerata që merr detyrën në qytetin më të madh të Shteteve të Bashkuara.
Mamdani, demokrat, u betua në një stacion historik të metrosë në Manhattan pak pas mesnatës të enjten, duke vendosur dorën mbi Kuran gjatë betimit. “Ky është vërtet nder dhe privilegji i jetës,” tha ai.
Ceremonia, e administruar nga Prokurorja e Përgjithshme e New Yorkut, Letitia James (Leticia Xhejms), një aleate politike, u zhvillua në stacionin e vjetër të City Hallit, një nga stacionet origjinale të metrosë, i njohur për tavanet e tij të bukura me hark.
Mamdani do të betohet përsëri në një ceremoni publike në City Hall nga senator i SHBA-së, Bernie Sanders, një nga idhujt politikë të kryetarit të qytetit. Pas saj do të organizohet një festë publike në Broadway, në segmentin e njohur si “Canyon of Heroes”, i famshëm për paradat me letra.
Ai nis tani një nga detyrat më të vështira në politikën amerikane, si një nga politikanët më të ndjekur të vendit. Përveçse është kryetari i parë mysliman, Mamdani është i pari me origjinë nga Azia Jugore, i pari i lindur në Afrikë dhe në moshën 34-vjeçare, kryetari më i ri në qytet në disa gjenerata.