Zjarri në “Drisla” Air Tractor tërhiqet nga operacioni, piloti paralajmëroi rrezik për vatra të reja
Për më shumë se 5 orë, autoritetet po tentojnë të shuajnë zjarrin në deponinë “Drislla” në fshatin Batincë, komuna e Studeniçanit. Nga Qendra për Menaxhim me Krizat thonë se janë bërë përpjekje nga toka dhe qielli me qëllim që të mos lejohet përhapja drejt pyllit dhe vendbanimit.
” Njësia e zjarrfikësve intervenon me 2 automjete dhe 5 zjarrfikës. Për përforcim u dërgua edhe një aeroplan “Air Tractor” nga DMSH me qëllim të ndihmojë në shuarjen e zjarrit dhe të parandalojë përhapjen e mundshme drejt pyllit me pisha dhe vendbanimit”- thonë nga QMK.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, tha se zjarri ka shpërthyer në pjesën qendrore të deponisë, ndërsa nënvizoi se intervenimi me “Air Trackor” është ndërprerë, për shkak se mund të shkaktoheshin vatra të reja.
“Piloti i “Air Tractor”-it theksoi se zjarri është në pjesën qendrore të deponisë dhe se çdo hedhje uji nga lartësi mund ta fuqizojë zjarrin dhe të shkaktojë ndezje të vatrave tjera. Piloti nuk konstatoi rrezik për përhapje drejt pyllit me pisha dhe u udhëzua të veprojë në zjarrët në Malin e Zi të Shkupit”- theksoi ai.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, thonë se ekzistojnë dyshime që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht.