
Zjarr i madh në deponinë ilegale,”Vardarishtë” në Aerodrom, disa lagje pa energji elektrike
Një zjarr i madh në deponinë ilegale “Vardarishtë”, ka përfshirë një hapësirë të madhe, ndërsa sipas Qendrës për Menaxhin me Krizat, ekziston mundësia që në zjarr të jetë përfshirë edhe një objekt i vjetër.
Drejtori i QMK-së Muhamed Ali, njofton se aktualisht në terren po ndërhyjnë 13 zjarrfikës me 5 automjete zjarrfikëse.
“Për shkak të zjarrit, janë ndërprerë linjat e tensionit të lartë drejt Aerodromit dhe Lisiçës” thonë nga QMK.
Shkyçja e linjave të tensionit të lartë, ka lënë pa energji elektrike një pjesë të Aerodromit, Lisiçes, Çentos, Zonës Industriale dhe disa lagje të tjera.
Nga ana tjetër drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, njofton se ekzistojnë dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.
Për shkak të përmasave së zjarrit dhe rrezikut për zgjerim, nga Drejtoria njoftojnë se janë dërguar në ndihmë edhe një makinë BTR, një hermelinë dhe një ekip i drejtorisë.
