Zilja bie sërish, 238 mijë nxënës nisin sot vitin e ri shkollor në RMV
Sot nis viti i ri shkollor 2026/2027 në Maqedoninë e Veriut. Pas pushimeve verore, rreth 238 mijë nxënës rikthehen në bankat shkollore, prej të cilëve 174 mijë në shkollat fillore dhe 64 mijë në ato të mesme.
Për mijëra fëmijë kjo ditë shënon edhe hyrjen e parë në bankat shkollore. Deri tani, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka evidentuar 14.952 nxënës të regjistruar në klasën e parë, ndërsa 16.932 nxënës janë regjistruar në vitin e parë të shkollave të mesme. Shifrat përfundimtare pritet të bëhen të ditura së shpejti.
Sipas kalendarit shkollor, mësimi do të zgjasë deri më 10 qershor, ndërsa për maturantët viti shkollor do të përfundojë më 17 maj. Pushimi dimëror ndërmjet dy gjysmëvjetorëve do të zgjasë nga 31 dhjetori deri më 21 janar.
Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, tekstet mësimore janë shpërndarë në shkolla sipas sasive të kërkuara. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka bërë të ditur se janë siguruar 622 mijë tekste shkollore, ndërsa sipas saj janë kursyer 50 milionë denarë krahasuar me periudhën para se ajo të merrte drejtimin e Ministrisë.
“Për të tretin vit radhazi, librat shkollorë janë blerë në kohë në sasitë e kërkuara nga shkollat. Ato janë dorëzuar dhe mund t’u shpërndahen nxënësve nga 1 shtatori. Jam e kënaqur që çështja e librave shkollorë nuk është më një sfidë si në të kaluarën”, deklaroi Janevska.
Krahas fillimit të mësimit, vazhdon edhe procesi i optimizimit të rrjetit shkollor, që përfshin shkollat me numër të vogël nxënësish në zonat rurale, si dhe zgjerimin e mësimit me një turn./VOXAL/