Zhan Mitrev tha se Zaev dhe Filipçe donin të merrnin pronësinë e spitalit, Filipçe njoftoi padi për shpifje, Mickoski pret prokurorinë të veprojë
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk është i surprizuar, por nuk ka çfarë të komentojë dhe “do të pres të shohë nëse Prokuroria do të veprojë sipas indicieve, ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, në lidhje me pretendimet e Zhan Mitrev se ish-kryeministri Zoran Zaev dhe ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe kanë kërkuar mënyra për të marrë pronësinë e spitalit të tij.
I pyetur për koment mbi deklaratën e Zhan Mitrev, Mickoski, tha se nuk e surprizon, por gjithashtu se “unë nuk kam çfarë të komentoj, supozoj se prokuroria duhet të komentojë sipas indicieve”.
“Por kjo nuk më surprizon. Ne e dinim çfarë ndërhyrjesh mafioze ndodhnin, veçanërisht në atë periudhë kur ishte shpallur ajo, do të thoja, gjendje e jashtëzakonshme”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se ka shumë dëshmi që flasin për sjelljen e qeverisë në atë periudhë.
“Ju e dini, ato urdhra dhe vendime ligjore të Stevo Pendarovskit në atë periudhë ende ekzistojnë, nuk kanë kaluar në Kuvend, duhet t’i shohim dhe Kuvendi të marrë vendim në periudhën që vjen, dhe të shohim nëse ndoshta ekziston edhe përgjegjësi nga ish-presidenti Stevo Pendarovski, para ligjit dhe Kushtetutës, sepse ekzistojnë dyshime të bazuara se një pjesë e madhe e atyre vendimeve janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Kështu që unë do të pres të shoh nëse Prokuroria do të veprojë sipas indicieve, ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha Mickoski.
Lidhur me deklaratën e Mickoskit ka reaguar ish-presidenti Stevo Pendarovski, sipas tij, kryeministri mundohet t’i mbulojë dështimet e qeverisë me komente për gjëra që nuk i kupton.
“Së pari, Gjykata Kushtetuese, që më shumë se pesë vjet më parë, me shumicë votash, konfirmoi se vendimet për gjendjen e jashtëzakonshme janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Së dyti, dekretet me fuqi ligjore i miratonte dhe i zbatonte Qeveria. Nëse aty ka pasur abuzime, institucionet shtetërore që tani janë nën kontroll të plotë të Mickoskit mund t’i verifikojnë kur të duan, nëse duan. Së treti, të gjitha vendimet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme janë dorëzuar nga ana ime në Kuvend, dhe këtë e kam bërë menjëherë pas përfundimit të asaj gjendjeje”, tha Pendarovski.
Ai shtoi se edhe ky shpjegim nuk do ta ndalë Mickoskin të vazhdojë me akuza dhe shpifje të pabazuara, siç thotë, kjo është e vetmja mënyrë me të cilën është mësuar të qeverisë.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, dje në një konferencë për shtyp njoftoi se do të padisë për shpifje, për porositësit dhe zbatuesit, dhe e ftoi Zhan Mitrev që të shkojë në prokurori dhe të parashtrojë padinë penale.
Zhan Mitrev, mbrëmë në emisionin “Shouin e Mbrëmjes ” me Bogdan Ilievski, pretendoi se ish-kryeministri Zoran Zaev dhe ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe kanë kërkuar mënyra për të marrë pronësinë e spitalit “Zhan Mitrev”, gjatë procesit gjyqësor që zhvillohej ndaj tij.
Kujtojmë që në 2023, Prokuroria Themelore Publike, ngriti aktakuzë kundër kardiokirurgut Zhan Mitrev si person fizik, si dhe kundër personit juridik Spitali privat “Zhan Mitrev”. Sipas aktakuzës bëhet fjalë për veprën penale “mashtrim”, për të cilën është paraparë dënim me burgprej 1 deri në 10 vjet.
Sipas sqarimit të prokurorisë, janë fshehur faktet kyçe dhe në këtë mënyrë është krijuar mashtrim tek pacientët, të cilët janë trajtuar në spital. Qëllimi i prokurorisë është të dëshmojë setë akuzuarit në rastin e Zhan Mitrevit kanë dashur t’i mashtrojnë për përfitime ligjore.
Hulumtimi i gazetarëve të IRL-së tregoi se spitali privat i cili ka pranuar më së shumti pacientë gjatë pandemisë së kovid-19 dhe në të cilën mjekimi ka kushtuar dhjetëra mijëra euro, e ka zbatuar metodën e hemofiltrimit (pastrimit të gjakut) e cila praktikisht ka qenë studim klinik. Në kundërshtim me ligjin, studimet klinike nuk janë paraqitur dhe miratuar nga MALMED.