Zelensky largohet nga Uashingtoni me garanci sigurie nga Trump, por a janë ato të mjaftueshme?
Herën e fundit kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi Shtëpinë e Bardhë, më herët këtë vit, ai u qortua nga Donald Trump.
Të hënën ai u rikthye me liderët evropianë në krah. Pas takimit dolën disa shenja progresi drejt një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Prania e liderëve evropianë padyshim pati ndikim të madh në takim. Pas samitit të fundit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, ata ishin të shqetësuar se Trump po e afronte SHBA-në me qëndrimet ruse duke mbështetur kërkesat maksimale të Putinit.
Nga deklaratat e Trump gjatë muajve të fundit shihet se tërheqja e vetme nga deklaratat e tij të çrregullta, kryesisht të bazuara në dezinformata ruse, vjen vetëm kur presioni politik rreth tij e kthen në një pozicion më realist e të informuar. Prandaj, ky demonstrim i unitetit evropian ishte shumë i rëndësishëm.
Garancitë e sigurisë mbeten vendimtare
Një progres i madh u arrit në një pjesë kritike të negociatave: garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Është domethënës fakti që SHBA do të përfshihet në garancitë e ardhshme të sigurisë. Nuk ka shumë kohë që Trump ia linte gjithë përgjegjësinë vetëm Evropës. Kjo është një zhvillim pozitiv.
Zelensky në një deklaratë për gazetarët ukrainas tha se do të duhet kohë për të përcaktuar hollësitë e çdo marrëveshjeje të ardhshme, pasi shumë shtete do të përfshihen me kapacitete të ndryshme. Disa do ta ndihmojnë Ukrainën financiarisht, të tjerët me asistencë ushtarake.
Ai theksoi se financimi dhe mbështetja për ushtrinë ukrainase do të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme. Kjo do të përfshinte partneritete strategjike në zhvillim, prodhim dhe furnizim.
Raportet tregojnë se garancitë e sigurisë do të përfshinin edhe blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane nga Ukraina, me vlerë rreth 90 miliardë dollarë, përmes aleatëve evropianë. Po ashtu, Zelensky sugjeroi mundësinë që SHBA të blejë dronë të prodhuar në Ukrainë në të ardhmen.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përmendi gjithashtu diskutimin për një lloj garancie sigurie të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, që ka të bëjë me mbrojtjen kolektive. Por, ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm, ky nen nuk detyron anëtarët të ndërhyjnë ushtarakisht, por u jep të drejtë të zgjedhin formën e mbështetjes. Kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për Ukrainën.
Ukraina tashmë ka përjetuar dështimin e një garancie sigurie – Memorandumi i Budapestit i vitit 1994 – kur SHBA, Britania dhe Rusia garantuan integritetin territorial të Ukrainës në këmbim që kjo të hiqte dorë nga arsenali i saj bërthamor. Rusia megjithatë pushtoi në vitin 2014 dhe nisi një invazion të plotë në vitin 2022.
Për këtë arsye, çdo garanci e ardhshme duhet të jetë shumë më rigoroze.
Humbja e territorit ukrainas
Para samitit të Alaskës me Trump, do të thosha se Putin nuk kishte interes për marrëveshje. Në takimet e mëparshme në Stamboll, Rusia dërgonte delegacione të ulëta, pa mandat për të vendosur.
Por skenari ndryshoi në Alaskë, ku Trump u rreshtua me Putin në mbështetje të kërkesave maksimale të Rusisë. Kjo ka gjasa ta ketë bindur Putinin se ka një përkrahës të tillë në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo mund të nënkuptojë se Putini beson se Rusia mund të sigurojë kontroll mbi Donbasin, rajonet e Donjecut dhe Luhanskut.
Zelensky ka qenë i qartë se Ukraina nuk do të pranojë kurrë ligjërisht aneksimin rus të Krimesë apo të katër rajoneve të tjera të pushtuara pjesërisht: Donjeck, Luhansk, Kerson dhe Zaporozhia. Ndryshimi i kufijve do të kërkonte referendum dhe ndryshim kushtetues – një proces i vështirë dhe shumë i papëlqyer nga populli ukrainas.
Putini në Alaskë kërkoi që Rusia të marrë të gjithë rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, përfshirë edhe tokat e fortifikuara nga ushtria ukrainase. Heqja dorë nga këto territore do ta linte Ukrainën të pambrojtur në lindje dhe do t’i jepte Rusisë avantazh për sulme të ardhshme.
Edhe nëse Zelensky do të detyrohej të pranonte një konflikt të ngrirë, ai nuk do të pranonte dorëzimin e tokave që ende janë nën kontrollin ukrainas.
Një sondazh i fundit i Gallup tregoi se 69% e ukrainasve duan një marrëveshje sa më shpejt, por kjo reflekton faktin se nën administratën Trump, SHBA po shihet si partner i pasigurt.
Një marrëveshje që shpërblen Rusinë për luftën e saj gjenocidale do të ishte precedent shumë i rrezikshëm, jo vetëm për Ukrainën por për Evropën dhe gjithë botën.
Delegacioni rus në negociatat e fundit në Stamboll tha qartë: “Rusia është e gatshme të luftojë përjetë”. Dhe kjo nuk ka ndryshuar, pavarësisht buzëqeshjeve mes Trump dhe Putin./TheConversation