Zekirija Shahini pas plagosjes: “Nuk dua kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike”
Bartësi i listës për këshilltar në komunën e Likovës, mjeku Zekirija Shahini, është prononcuar për herë të parë pas plagosjes së tij nga një person i maskuar në qendër të Kumanovës. Në një reagim publik, Shahini ka thënë se nuk ka pasur asnjë konflikt apo armiqësi me askënd.
“U godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua t’ju siguroj se unë nuk kam hak ndaj askujt, e as nuk i kam prekur kujt familjen apo nderin — për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin”, ka deklaruar Shahini.
Ai ka theksuar se nuk dëshiron që ngjarja të politizohet, duke rikujtuar se ndodhemi në periudhë fushate zgjedhore. “Nuk dua që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. Nuk kam armiqësi politike me askënd”, ka shtuar ai, duke bërë thirrje që organet e rendit të zbardhin rastin sa më shpejt.