Zbulohet identiteti i maqedonasit të vrarë në Bolivi
Është konfirmuar identiteti i shtetasit të Maqedonisë i cili u vra në shtetin e Amerikës së Jugut, Bolivi, së bashku me dy shtetas serbë, në një ngjarje që mediat rajonale e përshkruajnë si një ekzekutim brutal mafioz të lidhur me tregtinë ndërkombëtare të kokainës.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat serbe, viktima nga Maqedonia është 43-vjeçari Dejanço Lazarevski nga Strumica, i njohur në botën e nëndheshme me nofkën “Maqedonci”. Përveç tij, janë vrarë edhe Miljan Gjekiç (38) nga Nishi, i njohur si “Itri”, dhe një person tjetër, të dhënat e të cilit ende nuk janë konfirmuar, por për të dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara.
Trupat e tre burrave janë gjetur të mbështjellë me qese të zeza najloni. Autoritetet hetimore në Bolivi dyshojnë se ata janë torturuar para se të qëlloheshin për vdekje, gjë që tregon për një përplasje brenda qarqeve të krimit të organizuar. Sipas të dhënave fillestare, tre viktimat kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Bolivi dhe kanë pasur lidhje me të ashtuquajturin “karteli ballkanik”, një rrjet që kontrollon pjesë të kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Një burim nga Nishi për mediat serbe tha se lajmi për vrasjen është përhapur shpejt në botën e krimit. “E gjithë nëndheshmja flet për këtë që nga mëngjesi. Dihet që njëri është Miljan Gj., tjetri Dejanço L., e i treti njihet si ‘Mali Kosta’”, ka deklaruar bashkëbiseduesi, duke shtuar se detajet e ekzekutimit ende nuk janë plotësisht të njohura.
Trupat janë dërguar për autopsi dhe policia boliviane, në bashkëpunim me shërbime ndërkombëtare, po vazhdon hetimet për të zbuluar motivin, organizatorët dhe rolin e saktë të viktimave në rrjetin global kriminal.