
“Watch and Warn” alarmon se mediat serbe mund të rrisin tensionet ndëretnike në RMV dhe Ballkan
Iniciativa rajonale “Watch and Warn Disinfo”(Shiko dhe paralajmëro për dezinformata) që ka për qëllim luftimin e dezinformatave, ka lëshuar një alarm për përgatitje të ndikimit të mediave serbe në vullnetin zgjedhore në disa vende të Ballkanit. Sipas tyre, përveç ndikimit në vullnetin e qytetarëve, mund të ketë edhe trazira qytetare të ndikuara pikërisht nga lajmet e rrejshme ose dezinformatat.
“Ndikimi i mediave serbe pritet të luajë rol strategjik në formësimin e perceptimeve mbi proceset zgjedhore të vitit 2025, duke reflektuar njëkohësisht edhe tensionet e brendshme politike. Fushatat e pritshme të dezinformimit rrezikojnë të thellojnë ndarjet shoqërore, të minojnë besimin tek institucionet dhe të dobësojnë llogaridhënien demokratike, duke ushqyer euroskepticizmin dhe apatinë. Duke delegjitimuar proceset zgjedhore, fushata të tilla i shtyjnë qytetarët drejt dhomave të jehonës së polarizuara, të ndara mbi baza etnike dhe partiake, duke penguar dialogun politik konstruktiv”, thonë nga “Watch and Warn”.
Maqedonia e Veriut: Incidentet dhe dezinformimi që nxisin tensione etnike pritet të intensifikohen para zgjedhjeve lokale
Mediat dhe politikanët nën ndikimin e butë të Serbisë mund të portretizojnë aktorët politikë shqiptarë si përfaqësues të huaj, duke polarizuar më tej komunitetet etnike para zgjedhjeve lokale. Narrative të tilla të koordinuara rrezikojnë kohezionin kombëtar, minojnë besimin tek institucionet dhe dobësojnë mbështetjen për integrimin euroatlantik, duke thelluar paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor në një moment kritik zgjedhor dhe gjeopolitik.
Zgjedhjet lokale të planifikuara më 19 tetor dhe 2 nëntor zhvillohen në një klimë tensioni etnik. Incidentet e fundit në ndeshje sportive janë manipuluar për të nxitur ndasi. Mediat dhe rrjetet sociale i kanë amplifikuar komentet nacionaliste, duke i paraqitur si qëndrime zyrtare dhe duke eroduar besimin mes komuniteteve. Këto narrativa pritet të forcohen me afrimin e zgjedhjeve, duke e paraqitur vendin si të paqëndrueshëm, thonë nga “Watch and Warn”
Kosovë: Dezinformimi mbi bllokadën institucionale rrezikon stabilitetin dhe aspiratat euroatlantike
Zgjedhjet lokale të ardhshme rrezikojnë të ringjallin tensionet në veri, me media të lidhura me Serbinë që ka gjasa ta portretizojnë procesin si të dominuar nga interesat nacionaliste shqiptare dhe të minojnë legjitimitetin e institucioneve civile duke nxitur mosmarrëveshje, siç është rasti i ndërrimit të emrave të rrugëve në Mitrovicë.
Ngërçi i zgjatur institucional lidhur me formimin e qeverisë së re dhe vendimi i Presidentes Vjosa Osmani për t’i dhënë ose jo mandatin liderit të shumicës parlamentare Albin Kurti, pritet të përdoret për narrativa dezinformuese që e minojnë besimin tek institucionet dhe proceset demokratike. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kërkojnë votim të hapur, kufizojnë nominimet dhe shpallin seancat jokushtetuese si të pavlefshme, do të paraqiten nga aktorët vendas si ndërhyrje e tepruar apo “rishkrim i rregullave”. Nga opozita, këto vendime pritet të paraqiten si garanci demokratike.
Zgjedhjet lokale të planifikuara më 12 tetor përbëjnë një tjetër pikë tensioni, veçanërisht në veri, ku pjesëmarrja e Listës Serbe dhe çështjet e sigurisë ofrojnë terren për manipulime. Narrativat për veprimet e qeverive lokale, si ndërrimi i emrave të rrugëve në Mitrovicën e Veriut, tashmë janë përdorur për të krijuar përshtypjen se shumica shqiptare rrezikon identitetin serb, thuhet në raport.
Shqipëri: Fushata të pritshme dezinformuese që polarizojnë opinionin dhe minojnë lirinë e shtypit
Bastisja policore e 24 gushtit në Focus Media Group ka tërhequr vëmendje të madhe publike në Shqipëri, duke e bërë lirinë e shtypit një temë të mundshme për fushata të ardhshme dezinformimi. Narrativat e ndryshme rreth incidentit mund të kthehen në pikë debati të vazhdueshëm dhe të kontribuojnë në rritjen e polarizimit shoqëror. Ndërsa mediat pranë opozitës ka gjasa ta paraqesin bastisjen si represion institucional ndaj shtypit të lirë dhe kabinetin Rama si autoritar, zërat proqeveritarë mund të theksojnë ligjshmërinë e ndërhyrjes, duke e portretizuar pronësinë e Focus Media si oligarki të korruptuar.
Para qasjes së tillë, qytetarët polarizohen mes shqetësimeve të sinqerta për lirinë e shtypit dhe manipulimeve që shërbejnë për interesa partiake apo biznesi. Një vendim gjyqësor që pjesërisht rrëzoi aksionin policor – duke lejuar vetëm gazetarët e “Panorama” të kthehen në zyrat e tyre – mund të nxisë pretendime për zbatim selektiv të ligjit dhe ndërhyrje politike në gjyqësor. Narrativat konkurruese rrezikojnë të zhvendosin debatin nga llogaridhënia institucionale dhe integriteti gazetaresk tek sulmet personale, duke lënë gazetarët të ekspozuar, të papunë dhe të prekshëm, thuhet në raport, përcjellë /VOXAL/.
