Vrasja e “El Mencho” trazon Meksikën, MPJ e RMV me thirrje për largim të shtetasve të saj
Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Meksikë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut u bën thirrje qytetarëve të vendit që ndodhen në territorin e këtij shteti ta lënë atë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë të sigurt.
Nga MPJ rekomandojnë që të shtyhen të gjitha udhëtimet në Meksikë që nuk janë të natyrës urgjente dhe të domosdoshme, deri në stabilizimin e situatës së sigurisë.
“Ministria vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për ndihmë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes linjës telefonike SOS 24-orëshe: +389 75 268 736, adresës së email-it: globalsos@mfa.gov.mk, si dhe përmes linjës telefonike të Misionit Diplomatik dhe Konsullor të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Uashington: +1 (202) 758-7798 ose adresës së email-it: washington@mfa.gov.mk. Ministria po e monitoron vazhdimisht situatën dhe do ta informojë publikun në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Çfarë po ndodh në Meksikë?
Situata e sigurisë në Meksikë është tensionuar pas një operacioni të madh të forcave të sigurisë kundër një prej karteleve më të fuqishme të drogës në vend.
Autoritetet meksikane realizuan një operacion ushtarak kundër liderit të kartelit Jalisco New Generation Cartel (CJNG), një nga organizatat kriminale më të rrezikshme dhe më të armatosura në Meksikë. Gjatë operacionit u raportua për neutralizimin e liderit të saj, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
Pas këtij zhvillimi, në disa shtete të vendit janë regjistruar akte të shumta dhune, përfshirë bllokada rrugësh, djegie automjetesh, përplasje të armatosura me forcat e sigurisë dhe ndërprerje të përkohshme të aktivitetit ekonomik në disa zona.
Autoritetet kanë rritur praninë ushtarake dhe policore në rajonet e prekura, ndërsa tensionet mbeten të larta për shkak të rrezikut të hakmarrjeve dhe përplasjeve të brendshme mes grupeve kriminale pas goditjes ndaj strukturës drejtuese të kartelit.VOXAL