Von der Leyen nga Shkupi: “Topi është në duart tuaja – bëni ndryshimet kushtetuese për të hapur negociatat me BE-në”
Topi është në duart tuaja dhe ajo që duhet të bëni janë ndryshimet kushtetuese.
Ky është mesazhi që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ia ka përcjellë kryeministrit Hristijan Mickoski në takimin e sotëm, si pjesë e turit që ajo zhvilloi në Ballkanin Perëndimor, të cilin e përmbylli pikërisht me Maqedoninë e Veriut si vendin e fundit.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së reagoi menjëherë pas takimit në rrjetin X, duke shkruar:
“Ne e mbështesim plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Mund të mbështeteni tek ne. Hapi i ardhshëm dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë – duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakorduar. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është e gatshme.”
Nga Qeveria, pas takimit, u publikua një njoftim i shkurtër ku thuhej se Maqedonia e Veriut pret nga Bashkimi Evropian një angazhim të qartë dhe konkret, si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët që për dekada kanë mbetur të përkushtuar ndaj vlerave evropiane.
Në njoftim thuhet gjithashtu se gjatë takimit u diskutua për perspektivën evropiane të vendit, përparimin në proceset reformuese, bashkëpunimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe transformimin digjital.
Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e qeverisë për të përshpejtuar integrimin evropian të shtetit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane.
Von der Leyen zhvilloi takime edhe me presidenten e shtetit, Gordana Siljanovska-Dafkova, e cila edhe më herët gjatë ditës kishte deklaruar se pret propozime dhe zgjidhje konstruktive për tejkalimin e mosmarrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare.
Pjesë e agjendës së përfaqësueses së lartë evropiane ishte edhe takimi me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
Lideri i opozitës, Venko Filipçe, nuk ishte pjesë e listës së takimeve, por sot publikisht e pyeti qeverinë se cilat janë planet e saj për perspektivën evropiane të vendit.
Para vizitës në Shkup, Ursula von der Leyen vizitoi edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën.