VLEN për Grubin: “Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së” u dorëzua
Koalicioni VLEN ka reaguar sot përmes një komunikate lidhur me zhvillimet e fundit rreth ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, i cili gjatë ditës së sotme iu dorëzua autoriteteve në vend. Nga VLEN, Grubi cilësohet si “kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së”.
Sipas kësaj partie, “kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar”, duke shtuar se Artan Grubi ka qenë pjesëmarrës dhe zbatues i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Nga atje thonë se BDI ndodhet në frikë, pasi, sipas tyre, nuk dihet se për çfarë është i gatshëm të flasë Grubi.
“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vehte, mbetet për t’u parë”, thuhet në reagim.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka pasur reagim zyrtar lidhur me akuzat e VLEN-it.