VLEN: Mërgata fitoi betejën kundër tradhëtisë së BDI-së
Koalicioni qeverisës VLEN po vazhdon të kërkojë llogari nga BDI-ja për ndarjen e shqiptarëve në rezidentë dhe jorezidentë dhe tentativën për ta fshirë mërgatën nga regjistrimi, sipas tyre.
“BDI vazhdon të heshtë! Për çfarë pazari urdhëruan fshirjen e mërgatës nga regjistrimi? Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen në rezident dhe jorezident, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk jep asnjë përgjigje dhe nuk tregon se kush e mori vendimin që të fshihet mërgata shqiptare nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021? Për çfarë çmimi u shitën shqiptarët në këtë pazar të pistë politik?”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni VLEN do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë ata të cilët pa asnjë bazë ligjore, shpikën kategorinë e banorëve “jorezidentë”, duke tejkaluar kompetencat dhe duke përjashtuar me qëllim mërgatën nga të dhënat zyrtare.
“Sqarojmë opinionin publik se nuk është diskutuar për organizim të një procesi të ri të regjistrimit të popullsisë para afatit të rregullt dhe se nuk do të ketë regjistrim tjetër vitin e ardhshëm. Çdo regjistrim i radhës duhet të jetë rezultat i analizave të thelluara dhe me konsensus politik. Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së dhe të siguroj një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga të gjitha palët”, thuhet në reagim.
VLEN-i shton se mbetet fuqishëm në mbrojtje të mërgatës shqiptare, e cila për dekada ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e mbijetesës ekonomike, sociale dhe kombëtare të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Ata nuk janë banorë “jorezidentë”, por pjesë e pandashme e këtij kombi dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit tonë”, thotë koalicioni qeverisës.
“Tradhtia që BDI i bëri mërgatës sonë nuk do të harrohet asnjëherë. Ajo është njollë e zezë në ndërgjegjen politike të kësaj partie. Por tani më, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është kthyer dinjiteti i çdo shqiptari. Kjo është një fitore e së vërtetës dhe e drejtës. Mërgata shqiptare është dhe do të mbetet pjesë legjitime e vendimmarrjes kombëtare”, thuhet në kumtesë.
VLEN thotë se do të qëndrojë gjithmonë në krah të saj.