VLEN: Kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza” hap faqe të re për arsimin shqip
Koalicioni VLEN njofton se projekti për ndërtimin e kampusit të ri të Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup po hyn në fazën e realizimit, pasi janë vendosur themelet dhe janë përmbyllur procedurat për lejen e ndërtimit.
Sipas kumtesës së VLEN-it, me këtë projekt Shkupi pritet të hapë një faqe të re për arsimin në gjuhën shqipe dhe për perspektivën akademike të të rinjve në vend.
Investimi i planifikuar arrin në 42 milionë euro dhe parasheh ndërtimin e një kompleksi universitar modern, i cili do të përfshijë hapësira bashkëkohore për mësim, amfiteatro, ambiente për studim dhe kërkim shkencor, si dhe objekte sportive, përfshirë edhe një pishinë për studentët.
Nga VLEN theksojnë se kampusi i ri pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardeve akademike dhe në afrimin e universitetit me praktikat evropiane të arsimit të lartë.
Në kumtesë thuhet se projekti konsiderohet një investim strategjik për të ardhmen e rinisë dhe për forcimin e Shkupit si qendër universitare për shqiptarët në vend.
Koalicioni shton se ndërtimi i kampusit vjen pas hapave të tjerë në sektorin e arsimit të lartë, përfshirë edhe përmbylljen e marrëveshjeve kolektive me Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Tetovës.
“Ky është VLEN-i – punë konkrete dhe investime që krijojnë mundësi reale për gjeneratat e reja”, thuhet në reagimin e koalicionit, duke shtuar se do të vazhdojnë të mbështesin realizimin e plotë të projektit deri në përfundimin e kampusit të ri universitar.