VLEN: Blerim Bexheti dhe vlerat europiane, parodia e radhës nga BDI-ja
VLEN e konsideron si joserioze dhe vetësabotuese nismën e sotme të BDI-së, e cila më shumë i ngjan një parodie satirike sesa diçka që ia vlen të trajtohet seriozisht, thonë nga ky koalicion.
Në një reagim me shkrim, nga partia në pushtet deklaruan se “BDI ofendon rëndë BE-në dhe shqiptarët kur Blerim Bexheti flet për vlera europiane”.
“E rikujtojmë për opinionin se Blerim Bexheti, si funksionar i përjetshëm i BDI-së, është sinonim i politikës kundër çdo vlere europiane.
Si deputet, si kryetar komune dhe mbi të gjitha si Ministër i Drejtësisë, Blerim Bexheti shkaktoi dëme të pariparueshme ndaj interesave të shqiptarëve dhe imazhit proeuropian të vendit.
Ai do të mbahet mend për politizimin e skajshëm të gjyqësorit, për pazaret “një prokuror nuk na çon në xhenet”, për sharjet dhe ofendimet ndaj shqiptarëve dhe skandalet e tjera ndër vite.
Prandaj, konsiderojmë se BDI-ja tallet me opinionin kur bën sikur shqetësohet për eurointegrimet, ndërsa zgjedh Blerim Bexhetin si personazh të agjendës së saj “europiane”.
VLEN nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë e kësaj parodie. Integrimi europian kërkon qasje serioze dhe të sinqertë. Qeveria është e fokusuar në Agjendën Reformuese, e cila po zbatohet me shumë sukses dhe mirënjohje nga Brukseli”, shkruan në reagimin e VLEN.