VLEN: BDI i krijon padrejtësitë, pastaj akuzon të tjerët!
BDI bën sikur është e shqetësuar për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve. Por e vërteta është e hidhur: pikërisht ata e krijuan padrejtësinë që sot e denoncojnë.
Rezultati është i qartë dhe tragjik: numri i shqiptarëve nuk është gabim statistikor, por zvogëlim i qëllimshëm dhe sulm ndaj përfaqësimit të drejtë. Është padrejtësi historike, që do të mbahet mend si një nga tradhtitë më të mëdha ndaj kauzës shqiptare. Ndërkohë që maja e BDI-së merrej me blerje qendrash tregtare, tregti me rrymë e biznes nafte, shqiptarët përjetuan padrejtësi nga shteti.
Nuk ka amnisti për fajin politik. Nuk do të lejojmë që numrat dhe dinjiteti i shqiptarëve të falsifikohen. Nuk do të lejojmë që ata që krijuan problemin të shiten sot si shpëtimtarë.
VLEN do të jetë zëri që mbron çdo familje shqiptare, çdo shqiptar në diasporë dhe çdo të drejtë të shkelur.
Dhe për fund, ta kujtojmë qytetarit se kjo është vepra e BDI-së: Ashtu si me mërgatën shqiptare, të cilët i lanë jashtë numërimit, vepruan edhe me gjuhën shqipe: gjysmake, pa ligj, pa fuqi.
Ashtu si me regjistrimin, ku manipuluan me numrat, vepruan edhe me punësimet: mbi 10 vjet mbajtën njerëz me kontrata pa status të rregulluar. Dhe sot, me paturpësi, akuzojnë të tjerët për gabimet e tyre.
VLEN nuk do të lejojë më padrejtësi. Koha e mashtrimeve mbaroi, koha është e qytetarit shqiptar!