Vjosa Osmani: NATO jo vetëm forcë, por edhe simbol i paqes dhe shpresës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar sot në Lubjanë me Çmimin “Gratë për Paqe dhe Siguri” nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Në një ceremoni solemne, Osmani pranoi çmimin në emër të popullit të Kosovës dhe veçanërisht të grave të vendit, të cilat, siç theksoi ajo, “kanë udhëhequr rezistencën paqësore, kanë luftuar për liri dhe kanë ndërtuar paqen me dhembshuri, vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm”.
Në fjalimin e saj para delegatëve të Asamblesë, presidentja Osmani e cilësoi çmimin si një nder të veçantë, duke e lidhur atë me rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe paqes.
“Ky çmim ka një domethënie të madhe, sepse rruga e Kosovës drejt lirisë dhe paqes është ndërtuar bashkërisht nga burrat dhe gratë e saj. Gratë e Kosovës udhëhoqën rezistencën paqësore, luftuan për liri, ndezën qirinjtë e paqes dhe frymuan jetë në institucionet e reja të vendit,” u shpreh ajo.
Osmani përkujtoi rolin kyç të grave gjatë periudhës së rezistencës paqësore në vitet ’90, gjatë luftës së Kosovës dhe në procesin e ndërtimit të institucioneve pas çlirimit.
“E pranoj këtë çmim në emër të grave të Kosovës – nënave dhe bijave që ende presin drejtësi për të dashurit e tyre të zhdukur, dhe vajzave të reja që udhëheqin me vizion për një Kosovë ku barazia nuk është ëndërr e largët, por një përpjekje e përditshme,” tha ajo, duke prekur zemrat e të pranishmëve.
Duke reflektuar mbi historinë e Kosovës, presidentja rikujtoi momentin kur aeroplanët e NATO-s fluturuan për herë të parë mbi qytetet e Kosovës në vitin 1999.
“Ishte tingulli i shpresës që po kthehej, simboli më i fuqishëm i paqes. Atëherë mësuam një të vërtetë të përjetshme: edhe kombet e vogla mund të mbajnë të vërtetat më të mëdha të botës, se liria nuk njeh madhësi dhe guximi nuk ka gjini,” u shpreh Osmani, duke shprehur mirënjohje të thellë për rolin vendimtar të NATO-s në çlirimin dhe ruajtjen e paqes në Kosovë.
Ajo e cilësoi NATO-n jo vetëm si një fortesë force, por si një simbol të paqes dhe një forcë për të mirë, që tregon se çfarë mund të arrijnë kombet kur bashkohen për të mbrojtur vlerat demokratike. “NATO ka qenë dhe mbetet një shembull i gjallë i asaj që mund të arrihet kur kombet bashkohen për të mbrojtur lirinë dhe drejtësinë,” shtoi ajo.