(Video)Vazhdon shuarja e zjarrit në Bllacë nga ajri dhe toka
Maqedonia e Veriut është duke u përballur me disa zjarre të mëdha të shkaktuara nga temperaturat ekstreme që kanë tejkaluar 35°C në ditët e fundit. Zjarret janë përhapur në disa rajone malore dhe pyjore, duke vënë në alarm autoritetet shtetërore dhe strukturat e mbrojtjes civile.
Situata më kritike është regjistruar në territorin e Komunës së Çuçer Sandevës, në fshatrat Çuçer dhe Bllacë, afër kufirit me Kosovën, ku një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu që nga mesdita e së dielës dhe vazhdon të jetë aktiv edhe sot.
“Sot në mëngjes, në orën 05:00, tre helikopterët – dy të MPB-së dhe një i ARM-së – filluan veprimet ajrore mbi zjarrin në territorin e Komunës Çuçer Sandevë, në fshatrat Çuçer dhe Bllacë,” njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Në operacion janë përfshirë forcat e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit me disa ekipe dhe automjete zjarrfikëse, ndërmarrjet publike të komunës, ekipet e Kryqit të Kuq me një rezervuar nga i cili helikopterët mbushin ujë, si dhe njësitë e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH).
“QMK është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente në terren,” thuhet në njoftim.
Për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve drejt tunelit rrugor dhe pikës kufitare me Kosovën, autoritetet vendosën të ndalojnë përkohësisht qarkullimin e automjeteve të rënda dhe makinave në këtë aks, si masë parandaluese ndaj ndonjë katastrofe më të madhe.
Mbrëmjen e kaluar, ndërhyrjet ajrore u ndërprenë për shkak të kushteve të errësirës dhe terrenit të vështirë, por ekipet tokësore vijuan punën për të mos lejuar përhapjen e zjarrit drejt vendbanimebe në fshatin Bllacë.
“Apelojmë për kujdes maksimal dhe bashkëpunim nga qytetarët. Çdo zjarr që nuk raportohet me kohë, në këto kushte klimaterike, mund të dalë jashtë kontrollit shumë shpejt,” thuhet në paralajmërimet e institucioneve përkatëse.VoxAl