(VIDEO)MPB hap poligon balistik modern: Prova më të forta, hetime më të shpejta…
Ministria e Punëve të Brendshme sot ka vënë në funksion një poligon të ri balistik, duke forcuar ndjeshëm kapacitetet forenzike të policisë dhe duke rritur besueshmërinë e hetimeve penale në vend. Objekti i ri garanton që të gjitha ekzaminimet balistike për armë të vogla dhe të lehta të zhvillohen në kushte të sigurta, të kontrolluara dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se ky investim i jep policisë një avantazh të rëndësishëm operacional, pasi poligoni funksionon si laborator balistik, ku testimi i armëve dhe municionit kryhet në kushte të kontrolluara, duke prodhuar rezultate të sakta, të krahasueshme dhe të pranueshme para organeve gjyqësore.
“Çdo shërbim policor është më efikas kur disponon kapacitete moderne për hulumtime balistike. Ky poligon na mundëson prova më të forta dhe hetime më të besueshme”, tha Toshkovski.
Sipas tij, poligoni do të shërbejë njëkohësisht si qendër trajnimi për kuadrin profesional, duke rritur nivelin e ekspertizës dhe standardin e përgjithshëm të punës në MPB. Saktësia e analizave, theksoi ministri, rrit besimin e qytetarëve në drejtësi dhe ndihmon në ndërtimin e rasteve të qëndrueshme penale.
Edhe përfaqësuesi i përhershëm i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Armen Grigorian, paralajmëroi se posedimi dhe keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta vazhdojnë të jenë kërcënim serioz për sigurinë publike, duke nënvizuar se UNDP mbetet partner kyç i MPB-së në luftën kundër këtij fenomeni.
“Këto investime janë thelbësore për ndërtimin e institucioneve të forta, drejtësisë dhe sigurisë së qëndrueshme”, deklaroi Grigorian.
Laboratori balistik i sapohapur mundëson analiza të avancuara të trajektoreve të plumbave, gjurmëve mikroskopike dhe shenjave të brendshme të armëve, duke i dhënë policisë mundësi që me shpejtësi të identifikojë nëse një armë është përdorur në një vepër konkrete penale, çka e përshpejton ndjeshëm zbardhjen e rasteve.
Investimi për realizimin e poligonit kap vlerën rreth 200 mijë dollarë amerikanë dhe është realizuar në kuadër të projektit për forcimin e kapaciteteve forenzike dhe hetimore për kontroll më efektiv të armëve të vogla dhe të lehta, të zbatuar nga UNDP në kuadër të Paktit Rajonal për Ballkanin Perëndimor. Projekti financohet nga fondi multilateral i Kombeve të Bashkuara, me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe shteteve partnere si Gjermania, Holanda, Suedia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia.
Me këtë kapacitet të ri, MPB jo vetëm që modernizon forenzikën policore, por dërgon edhe një mesazh të qartë: lufta kundër krimit të armatosur po hyn në një fazë më të fortë, më profesionale dhe më të besueshme./VOXAL/