Vështirësitë klimatike penguan zhvillimin e zgjedhjeve në një vendvotim në Gostivar, procesi në të tjerat zhvillohet qetë
Në disa vendvotime që ndodhen në viset më malore të Komunës së Gostivarit, gjatë orëve të mëngjesit janë hasur vështirësi për shkak të kushteve të rënda klimatike. Si pasojë, në një vendvotim, pavarësisht përpjekjeve të shumta për të arritur në kohë dhe për ta hapur atë, kjo nuk ka qenë e mundur, tha për Portalb.mk Ajshe Osmani, nënkryetare e KKZ në Komunën e Gostivarit.
Osmani, bëri të ditur se në koordinim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), pas kalimit të afatit të paraparë ligjor, këshilli zgjedhor është detyruar të kthehet dhe në atë vendvotim nuk do të zhvillohen zgjedhjet.
“Në disa vendvotime në mëngjes që ndodhen në viset më malore hasëm në vështirësi dhe vetëm në një vendvotim edhe pse u bënë shumë përpjekje për të arritur në vendvotim që të hapet vendvotimi në kohë, nuk arritën, për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe në koordinim me KSHZ-në vendosën që pasi kaloi afati i paraparë, këshilli zgjedhor u kthye sërish dhe në atë vendvotim nuk zhvillohen zgjedhjet. Kurse vendvotimet tjera të gjitha u hapën në kohë”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se të gjitha vendvotimet e tjera në territorin e komunës janë hapur me kohë dhe procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht. Numri i përgjithshëm i votuesve në Komunën e Gostivarit është 82.870, ndërsa deri në orën 13:00 kanë votuar 7.227 qytetarë.
“Numri i përgjithshëm i votuesve është në Komunën tonë është 82.870, kurse dalja deri në orën 13:00 është 7.227 votues. Incidente nuk kemi të regjistruara, hasim në probleme të vogla teknike me aparatet biometrike, por ata i tejkalojmë shpejt me ndihmën e personave të angazhuar, tha Ajshe Osmani, nënkryetare e KKZ të Komunës së Gostivari”, theksoi Osmani.
Sipas Osmanit, deri më tani nuk janë regjistruar incidente zgjedhore. Janë evidentuar vetëm disa probleme të vogla teknike me aparatet biometrike, të cilat janë tejkaluar shpejt me ndihmën e personave të angazhuar në terren.
Procesi zgjedhor në Gostivar po vazhdon në një atmosferë të qetë, ndërsa autoritetet zgjedhore po ndjekin nga afër mbarëvajtjen e tij.
Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë mbahen në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33,33%. Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.