Vazhdon gjyqi për tragjedinë në diskotekën “Puls” ku humbën jetën 63 persona
Me fjalët hyrëse të mbrojtjes, sot në sallën e gjyqit në Idrizovë duhet të vazhdojë procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën. Seanca e sotme vazhdon me fjalën hyrëse të mbrojtjes së të akuzuarit të 26-të, Shefket Haziri nga Ministria e Ekonomisë, pasi në seancën e djeshme mbrojtja e ish-ministrave të Ekonomisë dhe drejtorëve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim mohoi fajin dhe kundërshtoi aktakuzën, duke thënë se nuk kanë pasur kompetenca ligjore apo fuqi faktike për të ndikuar në pasojat tragjike të shkaktuara nga piroteknika e papërshtatshme për hapësira të mbyllura, e përdorur në kundërshtim me ligjin.
Seanca e sotme, e cila fillon në orën 09:30, do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube dhe Facebook të MIA-s.
Rasti, në të cilin humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën, zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, me praninë e të akuzuarve, familjarëve të viktimave dhe shumë gazetarëve.
Në seancën e djeshme, mbrojtja e ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaroi se nuk ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tij dhe ngjarjes, duke theksuar se Ministria e Ekonomisë nuk ka pasur kompetenca inspektuese, ndërsa zjarri është shkaktuar nga përdorimi i piroteknikës së ndaluar në hapësira të mbyllura pa lejen e detyrueshme të MPB-së.
Mbrojtja e ish-ministrit të Ekonomisë Valon Saraçini theksoi se licencat vlejnë një vit dhe licenca e vitit 2012 nuk ka nënkuptuar leje që “Klasik M” të vepronte në një objekt tjetër, të funksiononte si diskotekë në vend të kabareve, të pranonte numër të tepërt njerëzish dhe të mitur pas mesnatës, apo të përdorte piroteknikë në mënyrë të paligjshme.
Mbrojtja e ish-drejtorit të DMSH-së, Adnan Xhaferovski, vlerësoi se aktakuza është juridikisht e gabuar dhe pa fakte që e lidhin atë me tragjedinë. Avokatja e tij, Suzana Joshevska, paralajmëroi se procesi po zhvillohet mbi “një inventar të kthyer në aktakuzë” dhe se “asnjë mangësi sistemike nuk krijon përgjegjësi individuale”. Xhaferovski përsëriti se “ndërgjegjja i është e pastër” dhe se beson në drejtësinë e gjykatës.
Ish-drejtori tjetër i DMSH-së, Shaban Saliu, deklaroi se nga viti 2012 deri në 2017, në institucionin që ai drejtonte nuk kishte mbërritur asnjë kërkesë për miratim nga kabare “Puls”, as ndonjë raportim nga persona juridikë ose fizikë për objektin.
Deri tani, përveç prokurorisë, fjalët hyrëse i kanë dhënë: i akuzuari kryesor, pronari i diskotekës Dejan Jovanov; pronari i “MMMM Café”, Mitko Stojanov; sigurimi Stojanço Dimitriev; si dhe Grozdan Milkoski, pronari i objektit. Një pjesë e të akuzuarve e kanë kundërshtuar aktakuzën në fjalët e tyre hyrëse.
Fjalë hyrëse pritet të japin edhe të akuzuarit nga Ministria e Ekonomisë: Shefket Haziri, Zoran Nikollovski, Bekim Haxhiu, Arlinda Kasapi dhe Razmena Çekiç Duroviq.
Fjalën e tyre duhet ta japin edhe inspektorët e tregut: Mile Ampov, Blashka Eftimova, Vesna Kuzmanovska dhe Emil Mitev, si dhe i akuzuari Aleksandar Naçev, pronar i agjencisë së sigurimit “Rubikon”, rasti i të cilit u bashkua me këtë proces menjëherë para fillimit të gjyqit.
Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh, paralajmëroi se provat do të tregojnë se klubi “Puls” ka qenë një “kurth vdekjeprurës” që nga fillimi, si pasojë e neglizhencës sistematike dhe dështimeve institucionale.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen 37 persona – pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë komunash, sigurim dhe zyrtarë shtetërorë.