Vazhdojnë trazirat në Serbi, digjet selia e partisë së Vuçiqit në Valjevë
Edhe sonte po mbahen protesta masive në disa qytete në Serbi, mes tyre Beogradi, Valjeva, Milanovac dhe Kniç. Studentët në bllokadë, në postimet e sotme në rrjetet sociale ku paralajmëruan protestat dhe lokacionet, shkruan edhe sloganin – “Serbia nuk mund të qetësohet”.
Mbrëmja ishte e ashpër para selisë së partisë në pushtet, Srpska napredna stranka (SNS), në Valjevë. Aty u mblodh një grup prej disa dhjetëra të rinjsh, një pjesë me kapuçë në kokë dhe me bluza të lidhura mbi fytyrë për të fshehur identitetin. Ata filluan të hedhin mjete piroteknike drejt selisë së SNS-së, pas çka shpërtheu zjarr në një pjesë të ambienteve.
Është thyer edhe hyrja e ndërtesës së Komunës së Valjevës, ku policia, në pajisje të plota antitrazira, formoi kordon dhe përdori gaz lotsjellës.
Siç raportoi televizioni N1, disa qindra qytetarë në Milanovac sonte hodhën letër tualeti mbi ambientet e SNS-së në atë qytet. Ndërkohë, dritat në ambientet e SNS-së ishin fikur dhe para tyre kishte vetëm një kordon policor që nuk reagoi ndaj këtij veprimi të protestuesve.
Marshi protestues në Novi Sad, nga ana tjetër, përfundoi para zyrave të SNS-së, dritaret e të cilave u thyen me shishe dhe sende të tjera.
Mediet serbe raportojnë se policia hodhi gaz lotsjellës dhe granata shokuese, e më pas ndërmori sulm ndaj protestuesve të mbledhur në protestën e mbrëmjes në Novi Beograd. Protestuesit u përpoqën të arrinin selinë e SNS-së në rrugën John Kennedy, ndaj së cilës u hodhën mjete piroteknike. Policia iu kundërpërgjigj.
