Vapa ekstreme vazhdon – mbi 40°C deri të martën, freskim nga e mërkura
Sot dhe nesër vendi do të përfshihet nga një valë e fortë të nxehti, me mot kryesisht me diell dhe temperatura që në shumë vende do të kalojnë 40 gradë Celsius. Sipas paralajmërimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, ky pritet të jetë kulmi i valës së nxehtësisë.
Në orët e pasdites, në disa zona ekzistojnë kushte për paraqitje të lokalizuar të motit të paqëndrueshëm, me mundësi për reshje të shkurtra ose erëra të forta.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi jugperëndimor, ndërsa në disa vende mund të jetë më e fuqishme përkohësisht.
Temperaturat minimale gjatë mëngjesit do të lëvizin nga 13 deri në 21 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të ngjiten nga 30 deri në 41 gradë.
Nga e mërkura parashikohet një ulje e ndjeshme e temperaturave, si pasojë e depërtimit të një mase ajrore më të freskët nga veriu, e cila do të sjellë lehtësim nga vapa për shumë zona të vendit.