Valbon Limani ik nga debati, Bejta: Ka frikë nga faktet për keqpërdorimet në komunë
Kandidati i AKI-së për Gostivarin, Valbon Limani, ka refuzuar përballjen televizive me Nevzat Bejtën.
Kandidati i VLEN-it Nevzat Bejta publikoi se për sonte ishte planifikuar debat në emisionin ZOOM në TVM2, por Limani ka refuzuar të përballet.
“Si kandidat i koalicionit VLEN, kam pranuar ftesën për debat të drejtpërdrejtë. Përballë ishte paraparë të jetë kandidati i AKI-së, por ai zgjodhi të mos paraqitet. Debati do të ishte mundësi që qytetarët të dëgjojnë ballafaqim real rreth programit, platformës dhe vizionit për Gostivarin, në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit”, shkruan Bejta.
Ai thotë se Limani ka frikë nga faktet dhe argumentet për keqpërdorimet që janë bërë gjatë qeverisjes me Komunën e Gostivarit.
“Kush nuk ka argumente dhe u frikësohet fakteve, shmang përballjen. Qytetarët çdo ditë po e kuptojnë më qartë se keqqeverisja ka emër dhe përgjegjësi. 11 Janari do të jetë vendimtar për rilindjen e Gostivarit”, thotë Bejta.