Ushqim pa kushte higjienike: AUV mbyll 9 shtëpiza në Strugë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kreu inspektim të jashtëzakonshëm në 9 shtëpiza të Vitit të Ri në çarshinë e qytetit në Strugë dhe lëshoi vendime për ndalimin e punës për shkak të mospërmbushjes së kushteve themelore të higjienës.
Furnizuesit e ushqimit u gjobitën me 200 euro në kundërvlerë denarë, ndërsa u lëshuan urdhra për regjistrimin e tyre në Agjenci si operatorë ushqimorë.
Kontrolli i kryer në datën 22 të këtij muaji përcaktoi se në shtëpiza punonin persona fizikë dhe në kushte johigjienike, gjegjësisht shtëpiza nuk ishin të lidhura me rrjetin e ujësjellësit të qytetit, nuk ishte kryer dezinfektim, dezinsektim dhe deratizimi i detyrueshëm, personat nuk iu nënshtruan ekzaminimeve të detyrueshme shëndetësore dhe sanitare, dhe nuk ishin respektuar rregullat e Praktikës së mirë të prodhimit dhe Praktikës së mirë të higjienës.
Vendimet për ndalimin e përkohshëm të kryerjes së aktiviteteve do të mbeten në fuqi derisa të përmbushen kushtet e nevojshme për punë.