
Ultimatumi i Trump ndaj Putinit për fundin e luftimeve! Rusia vazhdon goditjet ndaj Ukrainës, një i vrarë nga sulmet me dronë dhe raketa në Odesa
Rusia ka sulmuar me dronë dhe raketa Odesën në Detin e Zi dhe qytete të tjera ukrainase, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur të tjerë, thanë zyrtarët e emergjencave.
Sulmi i 19 korrikut është dëshmia e fundit që zyrtarët rusë synojnë të vazhdojnë të sulmojnë popullatën civile të Ukrainës – dhe të përparojnë në fushëbetejë – teksa përpjekjet për armëpushim kanë dështuar.
Që nga marrja e detyrës në janar, Trump e kishte bërë përfundimin e luftës pothuajse 41-mujore të Rusisë kundër Ukrainës prioritet. Por, pavarësisht gjashtë telefonatave mes Trumpit dhe Putinit, tri runde bisedimesh që përfshin zyrtarë amerikanë, rusë dhe ukrainas, dhe takime mes të dërguarve të SHBA-së dhe Kremlinit, Rusia ka vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.
Gjatë natës së 19 korrikut, Rusia lëshoi rreth 380 dronë, raketa lundruese dhe balistike drejt dhjetëra qyteteve ukrainase, tha ushtria. Një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në
Odesa u godit, duke vrarë një grua dhe duke plagosur disa të tjerë, sipas zyrtarëve të emergjencës.
Në verilindje, në rajonin e Dnipropetrovskut, qyteti i Pavlohradit gjithashtu u sulmua, sipas Serhiy Lysak, kre i administratës ushtarake rajonale.
Në fushëbetejë, Rusia po avancon ngadalë, megjithëse në javët e fundit përparimi i saj është matur vetëm në metra. Po ashtu, po rriten shqetësimet për mundësinë e rrethimit të qytetit të Pokrovskut, pasi forcat ruse kanë bërë përparim të vogël në verilindje të qytetit.