
Trump shkarkon zyrtaren kryesor për të dhënat ekonomike, derisa tarifat shkaktojnë rënie të tregut
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ka shkarkuar kreun e agjencisë së ngarkuar me publikimin e disa prej të dhënave ekonomike më të ndjekura nga afër të Amerikës, pasi një raport për punësimin më i dobët se sa pritej shkaktoi alarm të mëtejshëm në lidhje me politikat e tij tarifore.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump akuzoi – pa prova – komisioneren, Erika McEntarfer, për manipulim të shifrave të vendeve të punës për arsye politike.
Vendimi tronditi Wall Street-in dhe ngriti alarmin për ndërhyrjen e Shtëpisë së Bardhë në të dhënat ekonomike.
Në përgjigjen e saj, McEntarfer e quajti kohën e saj si komisionere “nderin e jetës sime”, ndërsa e përshkroi punën e agjencisë si “jetike dhe të rëndësishme”, shkruan BBC.
Kjo ndodhi derisa tregjet globale të aksioneve u tronditën, pasi Trump eci përpara me planet për të rritur ndjeshëm tarifat për mallrat në të gjithë botën. Shumë ekspertë parashikojnë se tarifat e Trump do të dëmtojnë ekonominë.
Në SHBA, tre indekset kryesore ranë, me S&P që u mbyll me 1.6% më poshtë, pas shitjeve të mëparshme në Evropë dhe Azi.
Ryan Sweet, kryeekonomisti amerikan në Oxford Economics, tha se vendimi për të shkarkuar komisionerin e Byrosë së Statistikave të Punës ishte shqetësues, duke vënë në dukje se të dhënat ekonomike me cilësi të lartë janë thelbësore për bizneset dhe nuk replikohen lehtë me burime private.
Trump ka hedhur poshtë shqetësimet në lidhje me planet e tij tarifore, të cilat ai thotë se do të nxisin prodhimin në SHBA dhe do të ribalancojnë tregtinë globale.
Por të dhënat e reja këtë javë dhe një sërë përditësimesh nga kompanitë mbi kostot e tarifave i kanë bërë këto parashikime më të vështira për t’u injoruar.
Të premten, Byroja e Statistikave të Punës raportoi se punëdhënësit në SHBA shtuan vetëm 73,000 vende pune në korrik. Gjithashtu, ajo rishikoi në mënyrë dramatike vlerësimet e rritjes së vendeve të punës në maj dhe qershor, duke raportuar 250,000 vende pune më pak të krijuara nga sa mendohej më parë.
Trump përmendi ndryshimet ndërsa njoftoi vendimin e tij për të shkarkuar McEntarfer.
Kreu i Departamentit të Punës, i cili mbikëqyr BLS-në, shkroi në mediat sociale se zëvendëskomisioneri i agjencisë, William Wiatrowski, do të merrte përsipër rolin gjatë kërkimit për një zëvendësim.
Departamenti i Punës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
BLS rishikon numrat e vendeve të punës çdo muaj ndërsa vijnë të dhëna të reja, zakonisht duke shtuar ose zbritur dhjetëra mijëra pozicione.
Edhe pse ndryshimet e këtij muaji ishin dukshëm më të mëdha se zakonisht, analistët thanë se përditësimet ishin në përputhje me të dhënat e tjera që tregonin ngadalësim.
McEntarfer kishte punuar për qeverinë për më shumë se 20 vjet përpara se të nominohej për të drejtuar BLS në vitin 2023. Më vonë ajo u konfirmua pothuajse unanimisht nga Senati i SHBA-së.