Trump për armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit: “Armëpushimi është në fuqi. Ju lutem mos e thyeni!”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri me dije se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit tashmë ka hyrë në fuqi, duke u bërë thirrje të dyja palëve që ta respektojnë marrëveshjen.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “Armëpushimi është në fuqi. Ju lutem mos e thyeni!”
Sipas tij, Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord për një ndërprerje të plotë të konfliktit, që ka përshkallëzuar situatën në Lindjen e Mesme në javët e fundit.
Sulmet filluan të eskalonin pas sulmeve ajrore amerikane ndaj tre objekteve bërthamore iraniane të dielën, në lokacione si Fordo, Natanz dhe Isfahan. Përgjigja erdhi nga Irani me një sulm raketor ndaj bazës ajrore amerikane Al Udeid në Katar, që u zhvillua të hënën.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane dhe ato të Katarit u mbrojtën me sukses dhe nuk pati viktima nga sulmi iranian.
Përshkallëzimi i tensioneve ka sjellë viktima nga të dyja palët: autoritetet izraelite raportojnë të paktën 25 të vrarë dhe shumë të plagosur nga raketat iraniane, ndërsa Ministria e Shëndetësisë në Iran flet për mbi 400 të vdekur dhe mijëra të plagosur si pasojë e sulmeve izraelite.
Ky armëpushim vjen në një moment kritik dhe të paqëndrueshëm në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreson që të ndalë përplasjet dhe të hapë rrugën për dialog dhe paqe.