
Trump i shkruan letër Vjosa Osmanit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar të martën një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin e saj ndaj marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për lidershipin e saj të guximshëm, ka njoftuar Presidenca në Facebook.
Në letrën e tij, sipas njoftimit, presidenti Trump shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e Kosovës për mikpritjen e 50 emigrantëve nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të qartë të gatishmërisë për bashkëpunim me SHBA-në. Ai e vlerëson këtë vendim si shprehje të fuqisë dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, shkruan presidenti amerikan.
Trumpi, sipas Presidencës, në letër ka përgëzuar Osmanin për angazhimin e saj në forcimin e kësaj lidhjeje dhe ka shprehur dëshirën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në vitet që vijnë.
“Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë”, thuhet më tej në letrën e tij.
Në përmbyllje, presidenti amerikan i ka përcjellë Osmanit edhe përshëndetjet dhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.