Ultimatum dhe kërcënime: Trump i jep 48 orë Iranit, Teherani paralajmëron sulme ndaj vendeve të Gjirit
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dhënë 48 orë afat Iranit që “të hapë plotësisht” Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit, ose në të kundërtën do të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit, një përshkallëzim i madh në luftën që tashmë kërcënon që të dalë jashtë kontrollit.
Këtë afat, Trump e vendosi në orën 19:44, me kohën lokale të Uashingtonit, kur shkroi në Truth Social më 21 mars.
“Nëse Irani nuk e HAP PLOTËSISHT, PA KËRCËNIM Ngushticën e Hormuzit brenda 48 ORËSH nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të godasin dhe do të shkatërrojnë plotësisht TERMONCENTRALET E TYRE, DUKE NISUR NGA MË I MADHI”, shkroi Trump.
Paralajmërimi i Trump erdhi një ditë pasi ai tha se po e shqyrtonte “uljen e intensitetit” të operacioneve ushtarake.
Edhe në kohën kur ai e bëri këtë deklaratë, Pentagoni po dislokonte mijëra trupa shtesë tokësore në rajon përmes luftanijeve të marinës për të rritur praninë ushtarake në luftën me Iranin, raportuan disa media. Pentagoni nuk ka komentuar zyrtarisht për këto raportime.
Në përgjigje të ultimatumit të Trumpit, komanda e ushtrisë së Iranit, sipas medias shtetërore iraniane, citohet të ketë thënë se nëse sulmohen karburantet dhe infrastruktura e energjisë, e gjithë infrastruktura e energjisë që i përket SHBA-së në rajon do të shënjestrohet. Irani tha po ashtu se do të shënjestrojë impiantet e desalinizimit.
Megjithëse nuk është bllokuar fizikisht, Irani e ka bërë këtë rrugë ujore vështirë të kalueshme përmes sulmeve kinetike, minave dhe luftës elektronike, si dhe duke kërcënuar tregun.