Trajnimin për parandalimin e zjarreve e përfunduan me sukses 352 kandidatë, nesër do të nënshkruajnë marrëveshje për angazhim pune.
Në kuadër të thirrjes publike të Qeverisë për parandalimin e zjarreve, gjithsej 352 kandidatë e kanë përfunduar me sukses trajnimin dyditor.
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS), Stojançe Angellov, kandidatët nesër do të nënshkruajnë kontrata për angazhim në punë publike me Agjencinë për Punësim, në partneritet me Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim dhe komunat e përfshira në masë.
“Për thirrjen publike të Qeverisë, si pjesë e planit operativ për vitin 2025 për mbrojtje dhe parandalim nga zjarret dhe përmirësimin e mjedisit në nivel lokal (pyllëzim), u paraqitën gjithsej 499 kandidatë. Prej tyre, 364 morën pjesë në trajnim, dhe 352 e përfunduan me sukses, në organizim të Lidhjes Kundër Zjarreve të Maqedonisë”, deklaroi Angellov.
Ai theksoi se përzgjedhja e kandidatëve që përfunduan trajnimin do të vazhdojë në njësitë territoriale të zjarrfikësve në komunat përkatëse, ndërsa ata nga Shkupi do të përfshihen në kuadër të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim. Më të mirët prej tyre do të kenë mundësinë të punësohen në njësitë zjarrfikëse, ndërsa disa do të angazhohen në njësinë e re speciale për mbrojtje dhe shpëtim, e cila është në proces formimi.