Toshkovski thotë se ka prova për zjarre të shkaktuara qëllimisht
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sonte pas mbledhjes së Shtabit të Krizës në Qeveri, deklaroi se të gjitha zjarret e sotme janë vënë nën kontroll, por se ka dëshmi që ato janë ndezur dhe përhapur qëllimisht.
Ai tha se nuk do ta rrezikojë hetimin paraprak duke zbuluar detaje, por u bë tepër e dukshme se sapo shuhej një zjarr, menjëherë ndizhej një tjetër, pastaj një i tretë, e kështu me radhë.
Në Çuçer-Sandevë, tha ai, dje janë gjetur goma të djegura.
“Duhet të theksoj se ndoshta kemi të bëjmë me një skenar të qëllimshëm, e jo me rastësi. Gjatë ditës së djeshme kapëm një person që me qëllim ndezte zjarr. Personi u gjet dhe ndaj tij u shqiptua masa më e rreptë – paraburgim. Është shumë simptomatike se si sapo neutralizohet një zjarr, fillon një tjetër, dhe sapo shuhet i dyti, nis një i tretë. Jam informuar nga MPB se ekziston dyshimi për një skenar të caktuar që dikush përpiqet ta realizojë në Maqedoni”, tha ai.
Dje, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, tha se ka pasur përpjekje qëllimisht të rikthehet zjarri në Çuçer-Sandevë, i cili më parë ishte vënë nën kontroll. Sipas tij, derisa zjarrfikësit po shuanin vatrat e mbetura, gjetën paleta druri të lyera me benzinë të hedhura qëllimisht.
Toshkovski shtoi se është simptomatike edhe fakti që një pjesë e zjarreve janë afër objekteve infrastrukturore.
Ministri tha se për shuarjen e zjarreve është kërkuar ndihmë nga Evropa dhe se aeroplanë zjarrfikës nga Greqia ndihmuan në Dojran.
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njoftoi se deri në orën 18:00 në territorin e vendit janë evidentuar gjithsej 25 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave 21 janë aktive, ndërsa 4 janë shuar. Nga QMK bëjnë të ditur se janë angazhuar pjesëtarë të Armatës, të cilët aktivisht marrin pjesë në shuarjen e disa vatrave.
Qytetarëve në zonat ku ka zjarr dhe tym u rekomandohet të fikin kondicionerët dhe ventilimin që fut ajër të jashtëm.