Toshkovski nuk dyshon se aktualisht ka përgjime të paligjshme
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nuk beson se për momentin ka keqpërdorime që lidhen me përgjime të paligjshme. Ai nënvizon se s’ka asnjë informacion shtesë për pretendimet për përgjime, përveç atyre që janë ndarë nga ASK.
Ai, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, theksoi se Prokuroria duhet t’i sqarojë dyshimet për paligjshmëri.
“Sipas informacioneve publikisht të qasshme që janë ndarë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), jemi informuar se nga kontrolli i brendshëm në kuadër të ASK është zhvilluar një hetim i brendshëm, ku janë konstatuar disa parregullsi. Në bazë të këtyre fakteve është dorëzuar një njoftim te prokurori publik kompetent, i cili, supozoj se brenda afatit ligjor do të ndërmarrë veprimet e duhura procedurale në kuadër të kompetencave të tij. Pra, sipas asaj që, do ta përsëris, është informacion publikisht i qasshëm, Prokuroria publike është në hap që të marrë kompetencat që i takojnë ligjërisht, me qëllim që edhe ne si Ministri e Punëve të Brendshme, por mbi të gjitha opinioni publik, të informohemi për paligjshmëritë që janë konstatuar nga kontrolli i brendshëm i ASK-së”,
tha Toshkovski, duke theksuar se MPB nuk ka asnjë informacion shtesë që veçanërisht i ka arritur atyre.
Në intervistë ai shtoi gjithashtu se nuk beson se aktualisht ka përgjime të paligjshme.
Nga VMRO-DPMNE në konferenca për shtyp çdo ditë përsërisin se lideri i tyre, Hristijan Mickoski, pesë vite (mes viteve 2019 dhe 2024) ka qenë i përgjuar dhe i ndjekur përmes keqpërdorimit të shërbimeve sekrete, ndërsa LSDM bën thirrje për deklasifikimin e dokumenteve dhe pyet se nga çfarë ka frikë pushteti.
Më herët, ish-drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Viktor Dimovski, në një intervistë për “360 gradë”, foli për pretendimet nga ASK se një hetim i brendshëm ka treguar se Agjencia ishte “rrëmbyer” nga një ish-drejtor dhe disa të punësuar, të cilët duke keqpërdorur resurset e ASK-së, janë hakmarrë ndaj kundërshtarëve, mes tyre politikanë, gazetarë, biznesmenë.
Dimovski në intervistë pohoi se nuk ka pasur ndjekje të liderit të VMRO-DPMNE-së.