Tjetërsimi i pronës në Livadhë, GJKKO vendos: 2 vite burg Jorgo Goros! Ish-kryebashkiaku përjashtohet 5 vite nga funksionet publike
Gjykata e Posaçme ka dënuar me dy vjet burg ish-kryetarin e bashkisë së Himarës, Jorgo Goron, për veprën penale të tjetërsimit të pronës në Livadh.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuaj 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Gjithashtu, Goro është dënuar me 5 vite ndalim për të mbajtur funksione publike.
Gjykata ka dënuar gjithashtu edhe Vasillaq Strakoshën me 1 vit e 6 muaj burg. Pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 1 vit heqje lirie, i pezulluar për një periudhë 2-vjeçare shërbimi prove. Edhe për Strakoshën, gjykata vendosi ndalim për 5 vite nga funksionet publike.
Goro u kallëzua nga Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos 4263 metra sipërfaqe toke.
Sipas SPAK, kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme, pasi Bollani kishte përfituar më parë një sipërfaqe prej 7700 metra katrorë tokë në bazë të ligjit 7501.