
TikTok-u më i rrezikshëm sesa mendohet – 25 paraqitje për keqpërdorim të të dhënave personale në 2025
Kërcënime, shantazhe dhe bullizime mes adoleshentëve në shkollat fillore, pikërisht përmes platformës shumë të përhapur edhe në Maqedoninë e Veriut, TikTok. VOXAL ka listuar disa platforma që janë hapur nga persona të panjohur, në të cilat publikohen fotografi të vajzave dhe djemve adoleshentë me mbishkrime kërcënuese, fyese dhe përçmuese. Në disa raste, fotografive u vendosen edhe këngë me motive satirike.
Ky fenomen ka shqetësuar shumë prindër, fëmijët e të cilëve janë bërë pjesë e këtyre rasteve të rënda. Ata thonë se kanë raportuar rastet në vetë platformën TikTok. Më pas i janë drejtuar policisë, nga ku presin zbardhjen e rasteve dhe mbylljen e këtyre profileve që i shqetësojnë ata
dhe fëmijët e tyre.
“Një i afërmi im, në mes të natës, më dërgoi një link në TikTok, ku ishte publikuar fotografia e vajzës sime së mitur me disa mbishkrime fyese dhe bullizuese. Realisht, u shqetësova shumë, si për familjen time, ashtu edhe për gjendjen psikologjike të vajzës. Profilin e këtyre maniakëve që guxojnë të luajnë me jetën e të rinjve e kemi raportuar në vetë TikTok-un, por nga ata morëm përgjigje se nuk shohin shkelje të rregullave të tyre. Jam përpjekur, përmes miqve, të gjej personat që qëndrojnë pas këtyre profileve, por pa sukses. Rastin, përmes disa të njohurve, e kam paraqitur edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, rrëfen për VOXAL një prind që ka kërkuar të mbetet anonim për të mbrojtur privatësinë e fëmijës së tij.
Raportime shqetësuese për abuzim me të dhënat personale, MPB reagon në 25 raste VOXAL kërkoi të dhëna statistikore nga Ministria e Punëve të Brendshme për atë se sa qytetarët alarmojnë për keqpërdorimin e të dhënave personale. Sipas MPB-së, në vitin 2025 është vepruar
ndaj 25 paraqitjeve të qytetarëve për keqpërdorim të të dhënave të tyre personale dhe fotografive në rrjetet sociale.
“Sektori i Krimeve Kompjuterike në MPB, në vitin 2025, ka pranuar dhe vepruar ndaj 25 paraqitjeve të qytetarëve për keqpërdorim të të dhënave të tyre personale dhe fotografive në rrjetet sociale. Njëra prej paraqitjeve ka të bëjë me një person që është ankuar se janë hapur 15
profile të rreme me fotografi dhe të dhënat e tij. MPB-ja, përkatësisht njësitë organizative përgjegjëse, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për identifikimin e kryerësve dhe parandalimin e keqpërdorimeve të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen zyrtare për VOXAL nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Psikologët: Roli i prindit në këto raste është vendimtar
Psikoterapeuti Migjen Amzai thotë se në raste të tilla prindërimi nuk duhet të reduktohet në kritikë, por në praninë aktive, emocionale dhe mbështetëse të prindërve.
“Po e them hapur: në kulturën tonë, për fat të keq, babai merr rol vetëm kur duhet të kritikojë. Bën fëmija diçka të mirë? I thuhet: ‘Për vete e ke.’ Por në momentin e parë që gabon: ‘Jam edhe unë këtu! Më turpërove! Ma more fytyrën!’ Ky nuk është prindërim! Prindërimi është tek
vullneti, motivi, prezenca, afirmimi, konfirmimi – jo tek varësia dhe frika. Fëmija duhet ta ndjejë që i ka prindërit gjithmonë afër, sidomos kur ka nevojë. Kjo mungesë pranie është arsyeja pse lind dëshpërimi, depresioni dhe, për fat të keq, në shumë raste, tentativa për vetëvrasje”, shprehet Amzai për VOXAL.
Shqipëria mbyll TikTok-un dhe SnapChat-in përkohësisht
Së fundmi, Shqipëria ka marrë një vendim drastik duke mbyllur përkohësisht TikTok-un dhe SnapChat-in për të gjithë përdoruesit. Vendimi i kryeministrit Edi Rama erdhi pas një përplasjeje verbale në TikTok, që përfundoi tragjikisht: një i mitur qëlloi me thikë 14-vjeçarin Martin Cani, i cili si pasojë e plagëve humbi jetën.
=
