Fyerjet antishqiptare nga Komitët, reagon zv/kryeministri Fetai
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar ashpër pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen mes Vardarit dhe Bashkimit, duke dënuar publikisht gjuhën e urrejtjes dhe koret fyese që u dëgjuan gjatë takimit.
Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Fetai thekson se ngjarjet e fundit dëshmojnë se sporti në vend vazhdon të përballet me sjellje që, sipas tij, “nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën e sportit, fair play-in dhe respektin e ndërsjellë”.
“Koret fyese dhe gjuha e urrejtjes janë absolutisht të papranueshme. Dënoj ashpër shfaqjet e tilla dhe refuzoj çdo përpjekje për t’i minimizuar apo justifikuar ato”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, ndërsa ka kërkuar reagim institucional nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente, duke theksuar nevojën për veprim profesional dhe të vendosur, përfshirë edhe sanksione konkrete ndaj individëve përgjegjës dhe klubit përkatës.
“Presim nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe vendosmëri, deri te sanksionet e nevojshme, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë”, thuhet në reagim.
Në të njëjtën kohë, Fetai ka shprehur respekt për futbollistët dhe stafin e Bashkimit, duke vlerësuar profesionalizmin, qetësinë dhe maturinë e treguar nga ana e tyre përballë provokimeve.
“Kjo qasje meriton admirim dhe është shembull se si duhet të sillet sporti ynë”, ka theksuar ai.